Lifestyle

Si ndikon kujdesi për bimët tek shëndeti emocional?

Në vitet e fundit, rritja e interesit për kujdesin ndaj bimëve shtëpiake ka marrë përmasa globale. Por përtej estetikës së Instagram-it dhe interierëve me pamje tropikale, fshihet një arsye shumë më e thellë: kujdesi për bimët ka ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin emocional dhe mirëqenien mendore.

Studiuesit e psikologjisë ambientale kanë zbuluar se kontakti me natyrën, edhe në formën më minimale si një bimë në dritare, redukton nivelin e stresit, përmirëson humorin dhe nxit ndjenjën e përgjegjësisë personale. Kur kujdesesh për një qenie të gjallë, qofte ajo edhe një aloe vera, aktivizohet një mekanizëm i brendshëm i empatisë dhe vëmendjes së përqendruar. Bimët ndihmojnë gjithashtu në krijimin e një rutine të vogël, si ujitja ose ndryshimi i vendndodhjes për të marrë më shumë dritë. Këto veprime të përditshme, të vogla por të qëndrueshme, krijojnë një ndjesi stabiliteti dhe qetësie që i bën mirë trurit.

Ndërkohë, ka edhe përfitime fizike

Bimët e pastra si sansevieria, pothos apo lulja e paqes përmirësojnë cilësinë e ajrit duke filtruar toksinat dhe rritur lagështinë në ambient. Kjo e bën hapësirën më të shëndetshme për mushkëritë, sidomos në ambiente të mbyllura ose me ajrim artificial.

Psikologët shpesh u rekomandojnë pacientëve që vuajnë nga ankthi apo depresioni të kujdesen për bimë si një formë terapie e heshtur. E quajnë “terapi e gjelbër” dhe efektet janë të matshme: ndihmon në uljen e ritmit të zemrës dhe në përmirësimin e gjumit. Pra, nëse je duke kërkuar një mënyrë të thjeshtë për të ulur stresin, për të futur më shumë jetë në shtëpinë tënde dhe për të ndërtuar një zakon të shëndetshëm emocional, fillo me një bimë. Mjafton një kaktus në dritare për të nisur transformimin.