Lifestyle

Si ndikon mungesa e natyrës në shëndetin mendor të qytetarëve urbanë?

Në një botë gjithnjë e më të urbanizuar, largësia nga natyra po rezulton të jetë një ndër faktorët e heshtur që ndikon ndjeshëm në shëndetin mendor. Një sërë studimesh të kryera në 10 vitet e fundit, si ai i Universitetit të Stanford-it në 2020, kanë treguar se:

njerëzit që jetojnë në qytete të mëdha dhe që kanë pak ose aspak akses në hapësira të gjelbra, janë më të prirur ndaj ankthit, depresionit dhe ndjenjës së izolimit.

Në mënyrë specifike, ekspozimi ndaj natyrës për më shumë se 90 minuta në ditë ka treguar se ul aktivitetin në pjesën e trurit të lidhur me mendimet negative dhe vetëkritikën. Edhe një shëtitje në një park të thjeshtë është mjaftueshëm për të stimuluar prodhimin e serotoninës dhe për të ulur nivelet e kortizolit,  hormoni i stresit. Psikologët sot e konsiderojnë kontaktin me natyrën një komponent të rëndësishëm në trajtimin e lodhjes mendore dhe rikuperimin emocional.

Ndërkohë, në qytete si Tirana, ku ndërtimet e reja po rriten me shpejtësi dhe hapësirat e gjelbra po zvogëlohen, është gjithnjë e më e vështirë për individët të përfitojnë nga këto benefite natyrore. Kjo e bën të domosdoshme riorganizimin urban të qyteteve me qëllim integrimin e zonave të dedikuara për natyrë dhe qetësi mendore.

Psikologët e shëndetit publik këshillojnë që qytetarët të krijojnë zakone të vogla si të qëndruarit në ballkone me bimë, meditimi në ambiente të jashtme, apo udhëtime të vogla fundjave drejt natyrës. Kjo nuk është luks, por nevojë psikologjike që lidhet direkt me mirëqenien dhe jetëgjatësinë. Në një shoqëri gjithnjë e më të shpejtë dhe dixhitale, rikthimi i përditshëm tek natyra nuk është thjesht nostalgji, është një antidot real ndaj presioneve që na konsumojnë përditë.