Në një epokë ku ritmi i jetës është gjithnjë e më i shpejtë, një grup i madh të rinjsh po zgjedhin të ndalojnë për një moment… pikërisht në mëngjes. Jo më thjesht një vakt i shpejtë për të kaluar radhën, mëngjesi po shndërrohet në një ritual mirëqenieje, duke reflektuar nevojën për më shumë vetëdije dhe qëllim në fillimin e ditës.
Sipas një studimi të fundit të “Morning Consult”, më shumë se 60% e të rinjve në moshën 18-30 vjeç në Europë thonë se kanë ndryshuar mënyrën se si e konsumojnë mëngjesin. Në vend të kafesë në këmbë dhe sanduiçit të paketuar, zgjedhin të përgatisin vetë vakte të thjeshta, por të shëndetshme — si tostë me avokado, smoothie me fruta sezonalë, kos grek me granola apo çaj jeshil.
Ky ndryshim nuk është thjesht gastronomik. Shumë e shohin mëngjesin si një moment për të pasur një fillim të qëllimshëm. Disa i shtojnë rutinës edhe 5-10 minuta meditimi, shkrim në ditar, planifikim të ditës ose lexime të shkurtra frymëzuese. Të tjerë zgjedhin të dëgjojnë podkaste motivuese gjatë përgatitjes së mëngjesit, duke krijuar një atmosferë pozitive që i ndihmon ta nisin ditën me qetësi.

Rrjetet sociale e kanë nxitur shumë këtë trend. Në TikTok dhe Instagram, videot me “morning routines” janë ndër më të ndjekurat, me miliona shikime. Një kategori e veçantë është ajo e “slow mornings”, ku përdoruesit tregojnë se si ngadalësimi i ritmit të mëngjesit ka përmirësuar ndjeshëm shëndetin mendor dhe produktivitetin.
Ky qasje e re ndaj mëngjesit ka ndikim edhe në mënyrën se si ndihen gjatë ditës. Shumë prej tyre raportojnë më pak ankth, më shumë përqendrim dhe një ndjenjë më të lartë kontrolli mbi kohën. Nuk është çudi që psikologët e konsiderojnë mëngjesin si “momentin e artë të ditës”. Në një botë që shpesh i vlerëson njerëzit për sa punojnë, ky ritual i thjeshtë mëngjesi është një formë e vogël rebelimi: kujdesi për veten para gjithçkaje tjetër.