Lifestyle

Si po e riformësojnë mediat sociale fytyrat e burrave?

“Looksmaxxing”, përpjekja për të përmirësuar pamjen fizike, është trendi më i fundit që ka përfshirë internetin. Nga ndërtimi i muskujve në palestër te përmirësimi i rutinës së kujdesit ndaj lëkurës, e deri te ndërhyrjet plastike, ky term që përdor zhargonin e lojërave video po përhapet me shpejtësi në rrjet. Termat më të debatueshëm përfshijnë edhe “mewing” (vendosja e gjuhës në qiellzë për të theksuar nofullën) dhe “bone smashing”, që nënkupton goditjen e kockave të fytyrës me shpresën se do të rigjenerohen më të forta, edhe pse për këtë nuk ka asnjë provë shkencore. Trendi më i çuditshëm i momentit? Rruajtja e qerpikëve, supozohet se të bën të dukesh më mashkullor.

Megjithëse burri mesatar modern nuk ka gjasa të shkojë të rruajë qerpikët me Gillette, ndikimi i rrjeteve sociale në mënyrën se si e shohim veten është i pamohueshëm. Ka lindur një gjuhë krejt e re: nga “mogging” (të dalesh më i bukur dhe dominues se dikush tjetër) te “aura points” (pikë stili dhe “cool”-iteti). Koncepti i looksmaxxing ka origjinë në forumet incel dhe është një mënyrë për të rimenduar vetëpërmirësimin me terma të lojërave video, si një personazh që “nivelizohet”, por pa fuqitë mbinatyrore që zakonisht i shoqërojnë.

Kur përmirësimi kthehet në rrezik

Sipas ekspertëve, edhe pse duket si një dëshirë për vetëzhvillim, tonaliteti ekstrem i këtij trendi është shqetësues. Profesorja Philippa Diedrichs, eksperte e imazhit trupor pranë Centre for Appearance Research, thotë:

Këto tendenca janë jashtëzakonisht shqetësuese, jo vetëm për shkak të dëmeve fizike që mund të shkaktojnë, por sepse tregojnë sa thellë janë rrënjosur standardet e paarritshme të bukurisë. Ato pasqyrojnë një besim në rritje se vlera jonë personale varet nga pamja e jashtme, dhe se mashkullëria duhet të dëshmohet përmes dhimbjes apo transformimit. Kjo është një çështje e shëndetit mendor dhe publik, jo thjesht një fenomen kulturor.

Rrjetet sociale janë të mbushura me “trajnerë looksmaxxing” që premtojnë ndryshime të strukturës së fytyrës përmes programeve të tyre. Sipas tyre, një nofull e theksuar, faqe të zbrazëta dhe “sy gjuetari” janë çelësi për sukses në jetë, më shumë para, më shumë status social, dhe, natyrisht, më shumë seks. Diedrichs thotë:

Në thelb, është një lëvizje ku kryesisht meshkujt e rinj ndjekin modifikime ekstreme të pamjes. Ata pretendojnë se po përmirësojnë tiparet ekzistuese, por në fakt, shumë nga procedurat që përkrahin janë të rrezikshme, të shtrenjta dhe pa indikacion mjekësor.

Nga forumet e incel në mainstream

“Looksmaxxing” është rreth e rrotull që prej më shumë se një dekade, por ka hyrë në rrjedhën kryesore të kulturës me rritjen e TikTok-ut dhe të ashtuquajturës “manosferë”, pjesë e internetit që përkrah mizogjinë dhe një version të hiper-mashkullërisë të propaganduar nga figura kriminale si Andrew Tate. Gjuha që përdoret në këto rrethime është tepër specifike dhe e redukton tërheqjen fizike në terma shkencorë. Termat përfshijnë:

  • Canthal tilt – këndi i pjesës së jashtme të syve, që thuhet se ndikon në atraktivitet
  • High facial adiposity – prania e yndyrës në fytyrë
  • Zygomatic arch – harku i mollëzave
  • Supraorbital ridge – harku i vetullave

Në forumet looksmaxxing, meshkujt postojnë foto për t’u analizuar matematikisht nga përdorues të tjerë – praktikë që ndikon rëndë në shëndetin mendor. Diedrichs thotë:

Standardet e bukurisë janë bërë më të dukshme, më ekstreme dhe më të paarritshme për shkak të filtrave, redaktimit digjital dhe normalizimit të ndërhyrjeve estetike. Studimet tregojnë se kur njerëzit i internalizojnë këto ideale të ngushta, shëndeti i tyre mendor, fizik dhe cilësia e jetës përkeqësohen. Të jesh i shëndetshëm nuk do të thotë të godasësh fytyrën apo të rruash qerpikët.

Robin James, ekspert i grooming-ut dhe themelues i Man By Himself, shpjegon se këto trende shënjestrojnë djem të rinj, ende në zhvillim fizik dhe mendor. Përmes imazheve “para dhe pas” që tregojnë transformime dramatike, u shiten programe që premtojnë një vetvete më të bukur.

Dr David Jack, mjek estetik në Londër, thotë se këto strategji shpesh synojnë dominancën seksuale dhe shoqërore përmes tipareve “alfa”.
Kjo mund të përfshijë gjithçka: serum për lëkurën, transplante flokësh, steroide, operacione në nofull, e deri te injeksione si filler ose Botox.

Ka një vijë shumë të hollë mes përmirësimit dhe fshirjes së identitetit personal.

Zgjidhja? Rrjetet sociale me më shumë larmi dhe njerëzi

Diedrichs rekomandon të pastroni rrjedhën tuaj në rrjete sociale:

Ajo që shohim ndikon në mënyrën si ndjehemi. Ndiqni njerëz që festojnë trupa dhe stile të ndryshme mashkullërie, dhe që flasin hapur për betejat e tyre personale. Vlera juaj nuk varet nga nofulla apo rutina në palestër.

Robin James sugjeron që vetëbesimi i qëndrueshëm vjen nga ndjekja e aktiviteteve që ju bëjnë të ndiheni mirë, qoftë një rutinë kujdesi për veten, një program ushtrimesh, apo thjesht të vishesh me stilin që të pëlqen.

Pamja është një efekt anësor i një jete të shëndetshme, por kjo nuk do të thotë të përplasësh fytyrën apo të presësh qerpikët.

Ndërhyrjet diskrete janë gjithashtu një opsion, shumica e pacientëve meshkuj të Dr Jack vijnë për përmirësime të lehta që i bëjnë të ndihen më të freskët, përmes filler-ëve në nofull, Botox-it ose injeksioneve hidratuese si Profhilo.

Qëllimi është të përforcohen tiparet mashkullore pa u bërë të dukshme, në mënyrë që dikush të duket më mirë, por askush të mos kuptojë saktësisht pse.

Dhe ndoshta… thjesht të jetojmë?

Ah, sikur të ishim një neandertal me qerpikë të gjatë, në një shpellë pa pasqyrë e pa telefon, ku “bone smashing” kishte një kuptim krejt tjetër. Por në realitetin e zhytur në TikTok të ditëve të sotme, kemi një zgjedhje për të bërë: a do ta kalojmë jetën duke looksmaxxuar derisa trupi të plaket gjithsesi, apo thjesht do të jetojmë?

Nëse je i shqetësuar që “canthal tilt-i” yt nuk është në nivel optimal, mjafton të shikosh përreth, plot njerëz mesatarë janë të lumtur, me familje dhe të suksesshëm. Dhe shumë të tjerë me mollëza perfekte janë të palumtur. E vetmja gjë e sigurt? Po i rrove qerpikët, do të kesh qepalla që pickojnë për disa javë.