Si qëndrojnë të informuar sot njerëzit rreth asaj që ndodh në botë? Në shumicën e vendeve, televizioni, gazetat dhe faqet tradicionale të lajmeve po humbasin terren. Sipas raportit më të fundit të Reuters Institute, interesi për mediat tradicionale është në rënie, me besim të ulët, angazhim të dobët dhe abonime që nuk po rriten më.
Ku po i lexojnë lajmet njerëzit në 2025? Dhe cilat janë pasojat?
Rritja e mediave sociale dhe videove
Në një kohë pasigurie politike dhe ekonomike, krizash klimatike dhe konfliktesh të vazhdueshme, nuk mungojnë temat për t’u raportuar. Por publiku po i drejtohet burimeve të reja për t’u informuar, kryesisht rrjeteve sociale, platformave të videove dhe faqeve përmbledhëse online.
Përdorimi i rrjeteve sociale për të ndjekur lajme po rritet në shumë vende, veçanërisht në SHBA, Amerikën Latine, Afrikë dhe disa vende të Azisë Juglindore. Në SHBA, për herë të parë, përdorimi i rrjeteve sociale dhe videove për të lexuar lajmet ka tejkaluar televizionin dhe faqet tradicionale të lajmeve.
Edhe në Europë, ku mediat tradicionale janë treguar më rezistente, përdorimi i rrjeteve sociale për lajme është në rritje. Në Mbretërinë e Bashkuar dhe Francë, rreth një në pesë persona tashmë informohet kryesisht përmes rrjeteve sociale, një rritje e ndjeshme krahasuar me një dekadë më parë.
Në të gjitha vendet e përfshira në raport, konsumi i videove për lajme është në rritje. Ky trend është më i fortë tek të rinjtë: 44% e personave 18-24 vjeç dhe 38% e grupmoshës 25-34 vjeç thonë se rrjetet sociale dhe videot janë burimet e tyre kryesore të informacionit.
Tendenca të reja: Podcastet dhe Inteligjenca Artificiale
Raporti thekson dy tendenca të reja. E para është rritja e përdorimit të një “ekosistemi alternativ mediatik”, ku njerëzit ndjekin më shumë podcaste dhe krijues përmbajtjesh në platforma si YouTube dhe TikTok, ky i fundit është rrjeti që po rritet më shpejt.
Në disa vende, personazhe të njohur dhe ndikues online (influencer) po luajnë një rol kyç në formësimin e debateve publike. Në SHBA, për shembull, podkasti i Joe Rogan arrin tek një në pesë qytetarë. Në Francë, 22% e personave nën 35 vjeç ndjekin Hugo Traversin, një krijues lajmesh në YouTube dhe TikTok.
Influencerë të rinj po marrin gjithashtu një rol të rëndësishëm në shumë vende të Azisë, sipas raportit.
Tendenca e dytë ka të bëjë me përdorimin e Inteligjencës Artificiale si burim lajmesh. Ndërsa motorët e kërkimit dhe platformat e tjera po integrojnë lajmet në kohë reale në produktet e tyre, 7% e njerëzve po marrin lajme përmes chatbot-eve çdo javë. Kjo shifër rritet në 15% tek ata nën 25 vjeç.
Rreziqet e dezinformimit
Besimi i përgjithshëm në media qëndron në nivelin 40%, sipas raportit. Por shumë njerëz shprehin shqetësim për mënyrën se si po ndryshon mënyra e konsumimit të lajmeve.
Edhe pse disa janë optimistë për përfitimet e mundshme që sjell Inteligjenca Artificiale, si përmbledhja apo përkthimi i lajmeve, shumë të tjerë janë skeptikë, duke menduar se ajo mund t’i bëjë lajmet më pak të sakta, transparente apo të besueshme. Gjithashtu, ekziston frika se publiku mund të humbasë lajme të rëndësishme.
Nga ana tjetër, personazhet e famshëm online dhe influencerët shihen gjithashtu si një burim i mundshëm dezinformimi. Kjo përputhet edhe me gjetjet e raportit të fundit të Forumin Ekonomik Botëror për Rreziqet Globale, ku dezinformimi dhe keqinformimi u renditën si rreziqet më shqetësuese për dy vitet e ardhshme.
Më shumë se gjysma e njerëzve të anketuar në raportin e Reuters-it shprehën shqetësim për dallimin midis lajmeve online të vërteta dhe atyre të rreme. Mediat e besueshme të lajmeve mbeten vendi kryesor ku njerëzit shkojnë për të verifikuar vërtetësinë e një informacioni.
Edukimi dixhital dhe përdorimi i përgjegjshëm i IA
Sipas raportit të Forumit Ekonomik Botëror, përdorimi në rritje i platformave dixhitale dhe i përmbajtjes së gjeneruar nga IA po e bën më të zakonshëm përhapjen e lajmeve të rreme dhe përçarëse. Kjo përforcon risqe të tjera globale, që nga konfliktet ushtarake deri te ngjarjet ekstreme klimatike.
Raporti përfundon se po bëhet gjithnjë e më e vështirë për njerëzit të kuptojnë se ku duhet të drejtohen për informacion të besueshëm. Për këtë arsye, sugjerohet që qeveritë, bizneset dhe organizatat e shoqërisë civile të ndërmarrin programe ndërgjegjësimi dhe edukimi dixhital për të ndihmuar qytetarët të kuptojnë rreziqet e mjedisit online dhe të identifikojnë përmbajtjet e rrezikshme ose të njëanshme.
Përmirësimi i transparencës dhe i mekanizmave të përgjegjshmërisë për përdorimin e IA-së do të jetë gjithashtu një pjesë e rëndësishme e zgjidhjes. / shqip.al