Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në Berat një takim me përfaqësues të teknologjisë, inovacionit, startupeve, ku u diskutua mbi rrugën e bërë dhe sfidat për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.
Duk folur për zhvillimet teknologjike, Rama tha se shumë shpejt, inteligjenca artificiale mund të bëhet anëtari më efikas i bordit qeverisës.
“Shumë shpejt AI mund të bëhet anëtari më efikas i bordit, shumë shpejt mund të vijë dita që qeverinë mund ta kesh AI.
Ministrin “x” e ke AI, nuk ka as kushëri për të fut në punë, as interesa të prishë proceset dhe nuk po them që është synimi ynë, megjithëse me shumë kënaqësi mund të merrej përsipër”-u shpreh Rama.
Ndërsa në shtator pritet të zbulojë qeverinë e re ‘Rama 4’, kryeministri duket se na zbuloi se do të kemi edhe një Ministër Shteti për Inteligjencën Artificiale.
“Ministrin e Shtetit për Inteligjencën Artificiale do ta zgjedhim me pjesëmarrjen tuaj. Nëse arrini të krijoni një model të inteligjencës artificiale që të zgjedhë ministrin, do të jetë hapi i parë drejt momentit historik kur Shqipëria do të ketë qeverinë e parë me ministra dhe me Kryeministër me inteligjencë artificiale”, theksoi Rama.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë shqiptare kritikoi bankat e nivelit të dytë se nuk kanë bërë ndryshimet e duhura në lidhje me dixhitalizimin sa i përket transaksioneve financiare.
“Sot ka pasur shumë brumë në tryezë edhe që nëse do të arrijmë të vendosim piketat që kemi diskutuar dhe pastaj të ndjekim një hartë veprimesh, do arrijmë të bëjmë më të mirën. Ka qenë kënaqësi edhe për të njohur nga afër disa inovatorë, edhe më prezantuan edhe një dokument të vjetër që ishte shumë tërheqës për qendrën e mendimit novator. Bankat që janë në kushtet e një prapambetje që po kërcënon progresin e sektorit dhe për më tepër e pajustifikuar po të kemi parasysh që gjithë legjislacioni i nevojshëm është i miratuar, gjithë instrumentet janë në dispozicion dhe këmbëngulja e bankave për të mos lëvizur me të njëjtin ritëm jo vetëm dëmton sektorin, por në tërësi interesat e shoqërisë duke penguar lehtësimin e mëtejshëm të të gjitha ndërveprimeve që lidhen me transaksionet financiare”, tha Rama.