Lifestyle

Si stresi po ndryshon pamjen e fytyrës tonë?

Në vitet e fundit dermatologët kanë vënë re një fenomen të ri që po shfaqet gjithnjë e më shpesh, sidomos tek të rinjtë: ajo që quhet “fytyra e stresit”. Nuk ka të bëjë vetëm me lodhjen ose me pamjen e përkohshme të zbehtë pas një dite të gjatë, por me një ndryshim të ngadaltë dhe të qëndrueshëm në pamjen e lëkurës, formës së fytyrës dhe shprehjes së saj. Stresi kronik nuk është vetëm emocional; ai është fizik, hormonal dhe kimik. Trupi reagon ndaj stresit duke prodhuar kortizol, hormon që në nivele të larta për periudha të gjata dëmton kolagjenin, i cili është struktura që mban lëkurën elastike dhe të tonifikuar. Sa më shumë të bie kolagjeni, aq më i dukshëm bëhet rrudhosja, humbja e volumit, rënia e konturit të fytyrës dhe pamja e përgjithshme e lodhjes.

Dermatologët thonë se një nga shenjat e para të fytyrës së stresit është humbja e shkëlqimit natyral. Lëkura duket më e thatë, e plogët dhe e pabarabartë, sikur i mungon jeta. Kjo lidhet me faktin se stresi ul qarkullimin e gjakut drejt lëkurës, pasi trupi i jep përparësi organeve vitale kur është në gjendje tensioni. Në të njëjtën kohë, rritet inflamacioni i brendshëm, gjë që nxit akne, irritime dhe njolla pigmentimi. Pra, nuk është rastësi që shume njerëz gjatë periudhave stresuese përjetojnë shpërthime në fytyrë ose zbardhje të papritur të ngjyrës së qerpikëve dhe vetullave.

Një tjetër element i dukshëm është shprehja e ngrirë e fytyrës. Kur njeriu përjeton ankth të vazhdueshëm, muskujt e fytyrës mbeten të tensionuar pa e vënë re. Balli ngrihet, nofulla shtërngohet, qafa ngurtësohet. Kjo jo vetëm që krijon rrudha me kalimin e kohës, por i jep fytyrës një pamje të ashpër, madje edhe në gjendje neutrale, sikur personi është i mërzitur ose i lodhur edhe kur nuk është.

Dhe ajo që e bën më të vështirë është se ky ndryshim zakonisht vihet re nga të tjerët para nesh. Njerëzit fillojnë të dëgjojnë pyetje si: “A je mirë? A je lodhur?” edhe nëse kanë fjetur mjaftueshëm. Kjo sepse stresi nuk e prek thjesht lëkurën, ai ndërhyn me mënyrën se si trupi e mban veten, si qeshim, si lëvizim, si ndihemi në përditshmëri. Psikologët sugjerojnë se zgjidhja nuk fillon te serumet apo kremrat, por te rikthimi i trurit në një gjendje sigurie. Një fytyrë në qetësi është një fytyrë që ripërtërihet. Lëkura mban mend gjithçka, edhe atë që ne përpiqemi të fshehim.