Shumë pronarë qensh përballen me sjellje të padëshiruara, si lehje të tepërt, shkatërrim të mobilieve apo shmangie nga kontaktet. Megjithatë, ekspertët theksojnë se në shumicën e rasteve nuk bëhet fjalë për mosbindje, por për trauma dhe pasiguri emocionale.
Qentë që kanë përjetuar keqtrajtim apo neglizhencë kanë nevojë për kohë dhe qetësi përpara se të ndërtojnë besim te pronari i ri.
Shtatë ditët e para pas ardhjes në shtëpi duhet të jenë ditë qetësie – pa imponim dhe pa pritshmëri të menjëhershme. Besimi dhe përkushtimi do të vijnë natyrshëm sapo kafsha të ndihet e sigurt.
Disa nga situatat më të shpeshta dhe zgjidhjet e tyre janë:
-Frika nga fshesa elektrike: prezantimi gradual dhe përdorimi i shpërblimeve ndihmon që qeni ta lidhë me përvoja pozitive.
-Frika nga udhëtimi me makinë: qeni duhet të ketë vendin e tij, ndërsa udhëtimi të fillojë i qetë, pa zhurmë apo muzikë të lartë.
-Frika nga qenët e tjerë: shëtitjet pranë parqeve të qenve, fillimisht nga distanca, krijojnë siguri përpara kontaktit të drejtpërdrejtë.
-Shkatërrimi i mobilieve: ky veprim shpesh lidhet me mungesën e vëmendjes apo lojës. Zgjidhja nuk është ndëshkimi, por më shumë kohë, shëtitje dhe aktivitet.
Ekspertët theksojnë se çelësi për çdo qen me trauma është durimi dhe ndjenja e sigurisë.
Vetëm me kujdes të vazhdueshëm, qeni do të arrijë të lërë pas frikërat dhe të ndërtojë një marrëdhënie të shëndetshme me familjen e re. Nëse problemet vazhdojnë, rekomandohet ndihma e një veterineri ose trajneri të sjelljes.