Shumë pronare tregojnë se qentë bëhen më të butë, më të kujdesshëm dhe më mbrojtës në momentet kur barku fillon të rritet. Ekspertët shpjegojnë se qentë falë nuhatjes dhe dëgjimit të tyre të mprehtë, janë në gjendje të dallojnë se diçka e rëndësishme ka ndodhur. Sipas American Kennel Club, qentë mund të vërejnë barkun në rritje të pronareve, por edhe ndryshimet në aromën e tyre trupore. Profesori i Veterinarisë në Universitetin e Ohajos thotë se qentë nuk e dinë saktësisht se gruaja është shtatzënë, por padyshim e ndiejnë ndryshimin dhe për këtë arsye reagojnë ndryshe.
Mary Burch nga American Kennel Club thekson:
Qentë janë vëzhgues të shkëlqyer. Ata kanë shqisa të jashtëzakonshme dhe nuk është çudi që e kuptojnë se diçka ka ndryshuar kur gruaja është shtatzënë.
Trupi i gruas pëson shumë ndryshime hormonale që ndikojnë në aromë dhe qentë, të njohur për nuhatjen e tyre të jashtëzakonshme, janë të aftë t’i dallojnë ato. Këta kafshë stërviten për të zbuluar drogë dhe eksplozivë, ndërsa studime të shumta kanë treguar se mund të identifikojnë edhe gjendje shëndetësore si kanceri, migrena apo krizat epileptike.
Ekspertët shtojnë se përveç nuhatjes, qentë ndoshta mund të kapin edhe rrahjet e zemrës së fetusit me dëgjimin e tyre të ndjeshëm. Edhe pse nuk ka shumë studime formale që e vërtetojnë këtë, shumë nëna tregojnë se qentë e tyre kanë reaguar ndryshe sapo kanë mbetur shtatzënë. Disa qen afrohen më shumë, shtrihen pranë pronareve dhe kërkojnë më shumë afeksion, ndërsa të tjerë bëhen të shqetësuar dhe mbrojtës, shpesh duke i ruajtur edhe nga “kërcënime” të padëmshme, si bashkëshorti apo madje edhe fshesa elektrike.
Qentë arrijnë të ndiejnë edhe momentin kur fillojnë kontraksionet e lindjes, duke dalluar ndryshimin në gjendjen emocionale dhe dhimbjen e pronareve të tyre, duke shfaqur sjellje mbrojtëse. Për t’i përgatitur për ardhjen e foshnjës, specialistët rekomandojnë që qeni të njihet me aromën e gjërave të bebes dhe me mobiliet e reja përpara lindjes.