Auto & Moto

Si u bë pajisja jetike e sigurisë, airbag, pjesë standarde në çdo veturë?

Airbag-u është një element i pandashëm i sigurisë në vetura, por rrugëtimi i tij drejt përdorimit masiv ka qenë i gjatë dhe i ndërlikuar.

Pajisja që sot shpëton mijëra jetë u patentua për herë të parë në vitin 1952 nga amerikani John W. Hetrick, megjithatë për dekada mbeti vetëm në teori. Pasi patenta e tij skadoi në vitin 1969, ai nuk përfitoi asgjë financiarisht – por hapi rrugën për zhvillime të reja nga shpikës të tjerë.

Në Evropë, Mercedes-Benz S-Class W126 ishte vetura e parë që e ofroi airbag-un në vitin 1980.

Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara, interesi për këtë pajisje u rrit pas publikimit të librit “Uncertainty at Any Speed” nga avokati Ralph Nader, i cili kritikoi ashpër prodhuesit amerikanë për mungesën e vëmendjes ndaj sigurisë së automjeteve.

Zhvillimi modern i sistemit të airbag-ut lidhet ngushtë me emrin e Dr. David S. Breed dhe kompaninë e tij Breed Corporation, e cila, ndryshe nga Hetrick që u fokusua tek jastëku vetë, punoi për të integruar këtë pajisje si pjesë e një sistemi të plotë sigurie.

Në vitin 1967, Breed ia shiti rezultatet e kërkimeve kompanisë “Chrysler”.

Në të njëjtën kohë, një konkurrent tjetër, “Eaton Yale & Towne Inc.”, solli në treg versionin e vet, që për herë të parë u quajt thjesht “airbag”. Kjo kompani bashkëpunoi me “Ford”, i cili në vitin 1971 testoi një flotë veturash me airbag të integruar në timon.

Një moment vendimtar ishte kur Administrata Kombëtare për Sigurinë e Trafikut në Autostrada (NHTSA) vendosi një rregullore që kërkonte që nga 15 gushti 1975, të gjitha veturat e reja të prodhuara në SHBA të kishin pajisje që mbronin shoferin dhe pasagjerin e përparmë në rast aksidenti.

Sot, falë dekadave të inovacionit dhe përpjekjeve të shumë shpikësve, airbag-u është standard dhe i domosdoshëm për sigurinë në rrugë.