Edhe pse mungesa e menstruacioneve është një nga shenjat më të dukshme të shtatzënisë, shumë gra vërejnë ndryshime në trup që disa ditë më herët. Një nga simptomat më të hershme është lodhja e papritur. Shumë gra ndihen të çuditshëm të rraskapitura në javët e para, edhe pse kanë fjetur mjaftueshëm. Kjo ndodh për shkak të rritjes së nivelit të progesteronit, hormon që mbështet shtatzëninë. Përveç kësaj, organizmi punon më intensivisht për të zhvilluar placentën dhe për të ushqyer embrionin, gjë që kërkon shumë energji.
Shumë shpejt pas ngjizjes, madje brenda javës së parë, gjokset mund të bëhen më të ndjeshme, më të rënda, ndërsa thithkat më të errëta dhe më të theksuara. Këto ndryshime vijnë nga hormonet që përgatisin trupin për gjidhënie. Edhe pse i ngjajnë ndryshimeve para menstruacioneve, tek shtatzënia ato janë më të theksuara dhe zgjasin më shumë. Disa gra përjetojnë gjakderdhje shumë të lehtë, që ndodh kur veza e fekonduar ngjitet në mukozën e mitrës. Zakonisht është me ngjyrë rozë të hapur ose kafe dhe zgjat 1-3 ditë. Shpesh ngatërrohet me fillimin e menstruacioneve, por është shumë më e lehtë dhe më e shkurtër.
Rritja e shpejtë e hormoneve mund të shkaktojë luhatje emocionale; nga lotët pa arsye, tek nervozizmi apo ndjenja e ankthi. Edhe pse më e zakonshme në tremujorët e fundit, urinimi i shpeshtë mund të fillojë që në fillim të shtatzënisë. Kjo vjen si pasojë e rritjes së qarkullimit të gjakut në veshka dhe nivelit të hormonit hCG, që e bën filtrimin më të shpejtë. Shumë shpejt, disa aroma që dikur ishin të këndshme bëhen të padurueshme, ndërsa ushqime të caktuara shkaktojnë neveri ose përkundrazi, dëshirë të papritur
. Këto janë pasojë e ndryshimeve hormonale dhe shpesh përforcohen me përparimin e shtatzënisë. Edhe pse të përzierat zakonisht shfaqen pas javës së 5–6, disa gra i ndiejnë më herët. Mund të shfaqen si ndjesi rëndese në stomak, humbje oreksi ose parehati e lehtë, sidomos në mëngjes apo kur janë esëll. Nëse dyshoni për shtatzëni, më e besueshme është të bëni test pas mungesës së menstruacioneve. Disa teste shumë të ndjeshme mund ta detektojnë edhe disa ditë më herët, por rezultatet janë më pak të sigurta.