Design

Sipas arkitektëve këto janë rregullat e mobilimit që duhet t’i zbatoni!

Mobilimi i hapësirës ekskluzivisht me ngjyra neutrale kërkon një ekuilibër të ndjeshëm. Meqenëse nuk ka ngjyra të forta që të shpërqendrojnë vëmendjen, përshtypja e përgjithshme e ambientit mund të dëmtohet nga nën-tonet që bien ndesh me njëra-tjetrën, kontrolli i dobët i kontrastit ose ndriçimi i papërshtatshëm. Megjithatë, ekzistojnë rregulla që ndihmojnë në krijimin e një interieri harmonik. Hapësirat me nuanca minimale të ngopura mbështeten në elemente si thellësia, drita, hija, nën-toni, kontrasti, tekstura dhe materialet për të krijuar interes vizual.

Mobilimi me ngjyra neutrale krijon ambiente që duken të qeta, të balancuara dhe të përjetshme. Duke reflektuar qetësinë e botës natyrore, paleta neutrale e ngjyrave sjell ndjesi stabiliteti dhe relaksimi në shtëpi. Një skemë e tillë krijon një sfond fleksibël për mobiliet dhe veprat artistike, duke mundësuar që objektet të vlerësohen në kontekst, e jo të izoluara.

Toni dhe kontrasti janë kyç

Gjatë ndërtimit të një skeme neutrale, është e rëndësishme të mbështeteni në teorinë e ngjyrave, ndërsa parimi kryesor lidhet me mënyrën se si variacionet mes dritës dhe errësirës e përcaktojnë efektin e një nuance. “Toni dhe kontrasti janë thelbësore”, shpjegon Ema. “Çdo ngjyrë neutrale ka një nën-ton të ngrohtë ose të ftohtë që duhet të kombinohet në mënyrë harmonike, ndërsa kontrasti është ai që i jep thellësi skemës neutrale. Pa nivelin e duhur të kontrastit, ambienti mund të fillojë të duket disi ‘i sheshtë’.” Tonet neutrale të ngrohta përfshijnë ngjyrat krem, tërshërë, bajame dhe gështenjë, ndërsa tonet më të ftohta janë gri e çelët, gri-bezhë dhe ngjyra e qymyrit. Përdorimi i kontrastit, si kombinimi i kremit me ngjyrën e arrës, shton dimension.

Përshtateni qasjen për çdo dhomë

Edhe pse zgjidhni një paletë neutrale, kjo nuk do të thotë që dhoma e ndenjjes duhet të ketë të njëjtën atmosferë si zyra apo banjoja. Është e dobishme t’i ndani hapësirat në ato me frekuencë të lartë përdorimi dhe ato të dedikuara për relaksim. “Në hapësirat e frekuentuara dhe të banuara, si kuzhinat dhe dhomat e ndenjjes, zgjidhni ngjyra neutrale më të pasura dhe të shtresuara, me pak më shumë kontrast dhe thellësi, si dhe shtoni thekse delikate,” këshillon Shon-Senders. Në dhoma si dhoma e gjumit, që duhet t’ju qetësojnë, futni më shumë nuanca neutrale.

Siguroni një kalim harmonik

Kur estetika neutrale zbatohet në të gjithë pronën, qëllimi është të krijohet një kalim i butë mes dhomave, duke ruajtur njëkohësisht karakterin e secilës. “Çelësi është zhvendosja, jo ndryshimi i menjëhershëm”, thotë Shina Marfi. Brenda një historie neutrale ngjyrash duhet të ketë larmi në gjithë shtëpinë, prandaj mos e përsëritni tepër të njëjtën ngjyrë, por lejoni që zgjedhjet tuaja të harmonizohen me njëra-tjetrën, në mënyrë që kalimi mes hapësirave të jetë i dukshëm, por jo i ashpër. Për ta arritur këtë, rekomandohet të qëndroni te një nën-ton, i ngrohtë ose i ftohtë, në gjithë hapësirën, e më pas të ndryshoni thekset nga dhoma në dhomë.

Zbatoni rregullin 70-20-10

Balanca mes toneve është thelbësore për suksesin e përgjithshëm. Një mënyrë e thjeshtë për ta kontrolluar atë është rregulli i ngjyrave 70-20-10. “Një rregull i thjeshtë është që rreth 70–80% e hapësirës të dominohet nga toni kryesor neutral, ndërsa 20–30% të shërbejë si theks dytësor”, shpjegon Shon-Senders. Toni theksues mund të jetë pak më i çelët, më i errët, më i ngrohtë ose më i ftohtë se nuanca kryesore. Theksi duhet të shfaqet në detaje më të vogla, për shembull, te ngjyra e listelave ose tekstilet dhe jo të pushtojë të gjithë dhomën, shton ajo. Kjo qasje eliminon hamendësimin dhe bën që paleta të duket e qëllimshme, e shtresuar dhe harmonike. Edhe pse teoria e ngjyrave ofron udhëzime të dobishme, është e rëndësishme të mos lejoni që ajo të mbizotërojë mbi nuancat me të cilat ndjeni një lidhje natyrore.