Lajme të mira vijnë nga Siria. Mësohet se janë liruar edhe 13 shqiptarë nga kampi famëkeq i ISIS. Më së fundi, nga “ferri” kanë mundur të dalin edhe 4 gra e 9 fëmijë. Ato iu janë dorëzuar autoriteteve shqiptare tashmë. Gjithçka është bërë me dije nga një zyrtar i lartë sirian, Dr. Abdulkarim Omar:
“Më 27 Maj 2022, 13 shtetas shqiptarë (4 gra dhe 9 fëmijë) të familjeve të organizatës ISIS i janë dorëzuar një delegacioni zyrtar të qeverisë shqiptare, pas nënshkrimit të dokumentit zyrtar të dorëzimit ndërmjet AANES dhe Republikës së Shqipërisë”.
Sikurse e dëshmoi edhe historia e trishtë e Alvin Berishës më 2019, njerëzit në këtë kamp nuk kanë thuajse asghjë me këtë botë ku jetojmë. Sidomos fëmijët e shumtë që ndodhen atje po paguajnë çmenduritë e të rriturve.
Programi “Le Iene” në Itali ekspozoi historinë e trishtueshme të një djaloshi 11-vjeçar, që kish mbetur i vetëm në kampin Al Hawl në Siri. Nëna e tij e bëri viktimë të gjallë për 5 vite të voglin Alvin. E trishtueshme, e dhimbshme.
Shteti italian arriti që ta nxjerrë nga ai kamp dhe ta bashkojë me familjen Alvin Berishën, por ai ishte një mes rreth 80 mijë të burgosurve të tjerë, shumica fëmijë, që vuajnë mes skamjes dhe vuajtjes. Edhe korrikun e kaluar, autoritetet shqiptare arritën të largonin nga ky kamp mizor disa bashkombas tanët, kryesiosht fëmijë dhe gra.