Futbollisti i njohur brazilian Hulk, 39 vjeç, ka kurorëzuar me martesë lidhjen e tij me Camila Angelo, një histori që prej vitesh ka ngjallur polemika të forta në opinionin publik.
Ceremonia fetare u zhvillua në një atmosferë intime, por detaji që vazhdon të tronditë është fakti se Camila është mbesa e ish-bashkëshortes së tij, Iran Angelo.
Hulk dhe Camila janë në një lidhje prej rreth katër vitesh, ndërsa ajo është vetëm dy vite më e re se Iran. Çifti tashmë ka një fëmijë së bashku, i lindur dy vite më parë, dhe aktualisht janë në pritje të një tjetër djali. Me këtë lindje, Hulk do të bëhet baba për herë të pestë.
Nga martesa e tij 12-vjeçare me Iran Angelo, futbollisti ka tre fëmijë. Pikërisht kjo martesë përfundoi pasi Hulk u afrua me Camilan, një zhvillim që, sipas Iranit, i shkaktoi një nga plagët më të mëdha të jetës së saj.
Pas një heshtjeje të gjatë, Iran Angelo reagoi për mediat portugeze, duke rrëfyer dhimbjen e thellë që vazhdon të ndiejë edhe sot.
Ajo deklaroi se tradhtia nuk erdhi vetëm nga bashkëshorti, por edhe nga njeriu që e konsideronte si vajzën e saj.
Është sikur të kem varrosur një vajzë të gjallë. Dhimbja është shumë e madhe, ndonjëherë mendoj se do të më shkulin zemrën. Ajo ishte si vajza ime. I dhashë gjithçka: dashuri, përkushtim, vëmendje dhe respekt
-u shpreh ajo mes emocionesh.
Ndërkohë, Hulk vazhdon karrierën e tij sportive në Brazil, ku aktualisht aktivizohet me Atletico Mineiro.
Në sezonin e kaluar, ai zhvilloi 61 ndeshje, duke realizuar 21 gola dhe dhuruar 8 asistime, një dëshmi se ende mbetet konkurrues në fushë, pavarësisht se i afrohet fundit të karrierës.
Emri i Hulkut u bë i njohur ndërkombëtarisht gjatë periudhës së tij te Porto, përpara se të transferohej te Zeniti i Shën Petersburgut në vitin 2012 dhe më pas të kalonte pesë vite në Kinë. Me kombëtaren braziliane, ai ka regjistruar 49 paraqitje dhe 11 gola.
Ndërsa në fushë vazhdon të shënojë, jeta private e Hulk duket se do të mbetet edhe për një kohë të gjatë në qendër të debateve dhe polemikave.