Dje ishte dita e fundit e 2025-ës, e një viti të mbushur me ngjarje të shumta e të shpejta, disa prej të cilave me rëndësi dhe që Top Albania Radio i sjell të përmbledhura në një kohë bilancesh që përkon me një vit të mbyllur dhe një tjetër që sot është në ditën e parë e që gjithashtu do të shënohet nga zhvillime, disa të reja e të tjera vazhdim i atyre që ende nuk kanë marrë një formë përfundimtare.
VENDI
SPAK-u vazhdoi të ishte protagonist i fortë dhe solli zhvillime që tronditën edhe skenën politike. Erion Veliaj u arrestua, por arriti të mbajë postin e kryebashkiakut të Tiranës, falë një vendimi të Kushtetueses që rrëzoi planet e qeverisë për zgjedhje vendore në kryeqytet, 9 nëntorin e kaluar.
Erion Veliaj u arrestua nga SPAK-u më 10 shkurt 2025 dhe prej rreth një viti ndodhet në masën e arrestit me burg. Në shtator, Prokuroria kërkoi gjykimin e Veliajt për 13 akuza, përfshirë 9 raste korrupsioni, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futje apo mbajtje sendesh të paligjshme në qeli. Me të, për gjykim janë dërguar bashkëshortja Ajola Xoxa, ish-deputetja socialiste, Klotilda Bushka dhe 15 persona, biznesmenë e bashkëpunëtorë.
Këshilltarët socialistë të Bashkisë Tiranë ndërmorën nismën për shkarkimin e kryebashkiakut të burgosur, i cili kundërshtoi procedurën si “antikushtetuese”. Më 23 shtator, ata dhe demokratët votuan për ta shkarkuar ndërsa më herët, kryeministri Edi Rama kishte zbuluar emrin e Ogerta Manastirliut si pasuese të Veliajt. Pas Këshillit Bashkiak erdhi shkarkimi nga Këshilli i Ministrave.
Erion Veliaj reagoi dhe në Gjykatën Kushtetuese paditi vendimin e shkarkimit, por qeveria ishte e vendosur për të vazhduar me zgjedhjet e pjesshme në Tiranë, Vlorë, Berat, Cërrik, Mat e Tepelenë duke i përcjellë vakancat Presidentit të Republikës. Bajram Begaj dekretoi 9 nëntorin ndërsa Veliaj kundërshtoi edhe dekretin në Kushtetuese.
Më 3 nëntor, Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin e Erion Veliajt si kryetar i Bashkisë Tiranë, duke e gjetur të papajtueshëm me Kushtetutën. Vendimi anuloi dekretin e presidentit Begaj për zgjedhjet në kryeqytet.
Ndërkaq, tetori i kaluar u mbyll me një zhvillim të fortë kur në datën 31, zv.kryeministrja Belinda Balluku, njëherazi ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë u paraqit në SPAK, ku iu komunikua akuza për shkelje të barazisë në tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe një loti të Unazës së Madhe të Tiranës.
Gjykata e Posaçme vendosi pezullimin nga detyra të Ballukut dhe ndalimin për të udhëtuar jashtë shtetit, si edhe “Arrest në shtëpi” ndaj vartësve Gentian Gjyli dhe Erald Elezi. Kryeministri Edi Rama e kundërshtoi vendimin për Ballukun duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese që më 12 dhjetor vendosi rikthimin në detyrë të numrit 2 të qeverisë dhe ta kalojë çështjen në seancë plenare.
4 ditë pas vendimit të Kushtetueses, më 16 dhjetor, Prokuroria e Posaçme dërgoi në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për të lejuar arrestimin e zv. kryeministres. SPAK-u që tani drejtohet nga Klodjan Braho tha se ka prova se Balluku kërcënoi një dëshmitare, vartëse të saj dhe se rrezikon prishjen e provave.
Nga SPAK-u u bë e ditur se tashmë Balluku është nën hetim edhe për koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar, veç tenderave të Unazës së Madhe të Tiranës për vitin 2021 e të Tunelit të Llogarasë. Ndërkaq, shefi i qeverisë bëri të ditur se mbi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, nga maxhoranca nuk do të ketë vendim, së paku deri më 22 janar. Sipas Ramës, fillimisht duhet pritur vendimi i Kushtetueses për çështjen e pezullimit nga detyra të Ballukut.
Opozita nisi protestat kundër qeverisë, deri në largimin e kryeministrit Rama dhe zv.kryeministres Balluku. Demokratët akuzojnë maxhorancën se vepron sipas atyre që i quajnë urdhra politikë të Ramës, për të penguar drejtësinë. Më 22 dhjetor, opozita zhvilloi një protestë kombëtare para Kryeministrisë duke hedhur molotovë, çka më pas çoi në arrestime.
Më herët, më 18 dhjetor, protesta e demokratëve u zhvillua në sallën e Kuvendit. Në të fundit seancë plenare të 2025-ës u ndezën flakadanë. Për sjelljet e dhunshme të kolegëve, socialistët në Këshillin e Etikës përjashtuan 30 ditë nga punimet e parlamentit 6 deputetë.
SPAK-u goditi sërish dhe në mesin e muajit të kaluar shënjestroi një grup të dyshuar kriminal, i akuzuar se manipulonte tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, përmes pengmarrjes apo dhunës. Gjykata e Posaçme caktoi masa sigurimi për tetë persona, përfshirë drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj e zv.drejtoreshën Hava Delibashi të vëna në “Arrest shtëpie”.
Nga SPAK-u akuzohen edhe Ergys Agasi e biznesmeni Ermal Beqiraj për konkurrencë të paligjshme përmes dhunës, heqjes së paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë në tendera, grup i strukturuar kriminal dhe pastrim i produkteve të veprës penale. Ndaj tyre, masat e arrestit me burg mbeten të paekzekutuara.
Si i përfshirë u dyshua edhe zv.drejtori i Policisë Tiranë, Erion Ismaili, të cilit i mbeti në fuqi pezullimi nga detyra. Tre të akuzuar të tjerë për pjesëmarrje në skemë manipulimi janë biznesmenët Andis Papa, Gëzim Hoxha e Rogers Rryta. Ndaj tyre u vendos ndalimi për të dalë jashtë vendit.
Sipas SPAK-ut, të hetuarit kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, duke i hapur rrugën kompanive të paracaktuara. Për to, shqyrtimi i ankimimit mund të sillte edhe ndryshimin e renditjes së listës së fituesve.
2025-a ishte vit elektoral. Më 11 maj u zhvilluan zgjedhjet parlamentare që për herë të katërt u fituan nga Partia Socialiste me 83 mandate, të mjaftueshme për të votuar çdo ligj e madje për të ndryshuar Kushtetutën. Partia Demokratike me aleatët siguruan 50, socialdemokratët 3 dhe partitë e reja 4.
Më 11 shtator, kryeministri Edi Rama shpalli kabinetin e ri qeveritar ku Belinda Balluku u rikonfirmua si zv.kryeministre e ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë. Nga Elisa Spiropali, e emëruar në krye të diplomacisë shqiptare, drejtimi i Kuvendit iu besua Niko Peleshit.
Rama njoftoi se një entitet i krijuar me Inteligjencë Artificiale, me emrin Diella do t’i bashkohej kabinetit. Fillimisht asistente virtuale brenda e-Albania/s, Diella u ngrit në rol ministreje, e ngarkuar me prokurimet publike. Pas zgjedhjeve të majit, më 18 shtator, kabineti “Rama 4” do të miratohej në Kuvend pa debat edhe pse duhej të ishte një seancë maratonë.
Në sallë, opozita protestoi për shkak të një fjalimi të ministres virtuale “Diella”. Peleshi hodhi në votim programin qeverisës dhe përbërjen e kabinetit të ri qeveritar, që u miratua me 82 vota pro. Për mbylljen e seancës në vetëm 25 minuta, kryetari demokrat Sali Berisha deklaroi se “ky akt ishte poshtërim i parlamentit”.
Pas fitores së zgjedhjeve politike, në fillim të korrikut, kryeministri Rama premtoi një aksion kombëtar për çlirimin e hapësirave publike dhe që nisi nga Vlora e vëmendje të veçantë mori për dërgimin e fadromave të IKMT-së në Theth, për të prishur disa kabina prej druri të vendosura pa leje. Ndërkaq, fajësoi një prokurore të Shkodrës, për mbylljen e hetimit ndaj abuzuesve.
Disa muaj pas humbjes së thellë në parlamentaret e 11 majit, Ervin Salianji nisi një lëvizje për ndryshim, siç u shpreh, për “një ringritje” dhe “rizgjim” të Partisë Demokratike. Pas dënimit të 2024-ës me 1 vit burg për kallëzim të rremë lidhur me një audiopërgjim ku pretendohej se ekspozoheshin lidhjet kriminale të vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në korrik të 2025-ës, Salianji u lirua dy muaj para kohe nga burgu i Fierit. Për të dhe PD-në, procesi gjyqësor ishte “politik”. Në fillim të dhjetorit të kaluar, Ervin Salianji nisi tur takimesh me struktura të partisë. Sali Berisha e akuzoi për axhendë personale dhe private.
Në korrik, Gjykata e Posaçme vendosi të lirojë nga “Arresti i shtëpisë” Jamarbër Malltezin, dhëndrin e Berishës. Tjetri Berisha dhe Malltezi janë në proces gjyqësor për vepra penale të korrupsionit në lidhje me privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”. Akuzat i hedhin poshtë, sipas tyre, si hakmarrje politike të orkestruar nga kryeministri Edi Rama.
Me 77 vota të socialistëve, në nëntor u miratua ligji për “Barazinë Gjinore”. Në seancë plenare pati debate e kundërshtim nga opozita, kryesisht për përkufizimin e gjinisë duke shprehur shqetësim se i hapet rrugë njohjes ligjore të komunitetit LGBTQ+. Jashtë Kuvendit pati protesta, ndërsa Sali Berisha akuzoi ambasadorin e Bashkimit Europian, Silvio Gonzato, se po kërkonte t’i impononte vendit “agjendën e tij personale”. Deklarata e Berishës nuk u prit mirë në Bruksel.
Më 17 nëntor, Shqipëria hapi kapitujt e fundit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Grupkapitujt “Burimet, bujqësia dhe kohezioni” u çelën gjatë konferencës së shtatë ndërqeveritare me BE-në dhe që u mbajt në Bruksel. Eurokomisionerja për Zgjerimin, Marta Kos vlerësoi punën e bërë nga Shqipëria.
Mbrëmjen e 11 dhjetorit, Kuvendi miratoi Buxhetin 2026 dhe Paketën Fiskale që e shoqëronte e ku parashikohen dy nisma për falje dhe shuarje të detyrimeve ndaj tatimeve dhe doganave dhe “Marrëveshjen e paqes fiskale”, një amnisti për fitimet e padeklarura të subjekteve tregtare. Nismat u kontestuan gjërësisht nga opozita, Komisioni Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë.
Muajin e kaluar, me 85 vota pro dhe 3 kundër, Endri Shabani u votua në Kuvend si Avokat i ri i Popullit vetëm me votat e maxhorancës dhe social- demokratëve. Opozita braktisi sallën gjatë votimit. Shabani ishte një ndër 6 emrat e mbështetur me firmat e deputetëve demokratë e të kualifikuar nga Komisioni i Ligjeve për t’u votuar në seancë edhe pse më herët, opozita u tërhoq nga firmat mbështetëse. Socialistët nuk e pranuan këtë tërheqje dhe votuan pa konsensus Shabanin.
KOSOVA RAJONI
Kosova e mbylli vitin 2025 me 3 procese elektorale. Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit u fituan nga Vetëvendosje e Albin Kurtit, i cili vazhdoi të mbetej kryeministër në detyrë. Por, partia e tij nuk mundi të sigurojë shumicën e mjaftueshme parlamentare. Kjo bëri që Kuvendi të mbetej i pakonstituuar për një kohë të gjatë. Seancat plenare dështuan njëra pas tjetrës.
Më në fund, më 26 gusht 2025, deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha u zgjodh në krye të Kuvendit të Kosovës, por vetëm në tetor, parlamenti që kaloi gati 6 muaj bllokim, mundi të përmbyllë seancën e konstituimit të nisur në prill.
Pikërisht në tetor, deputetët zgjodhën nënkryetarin e munguar të Kuvendit të Kosovës nga radhët e serbëve, Nenad Rashiç. Lista Serbe, partia e mbështetur nga Beogradi zyrtar e kundërshtoi këtë zgjedhje e tha se “u bënë shkelje kushtetuese”.
Por që pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, në Kosovë nuk u arrit formimi i qeverisë së re. Në mungesë të numrave, partitë politike u dorëzuan dhe parlamenti i ri u shpërnda në nëntor për t’i hapur rrugë një tjetër palë zgjedhjesh politike e që u vendos të mbaheshin më 28 dhjetor, pra të dytat parlamentare në afro 11 muaj.
28 dhjetori ishte çelsi. Me rezultatin e siguruar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosja e Albin Kurtit mund të prodhojë 56 deputetë. Për të formuar i qetë qeverinë, Kurtit i mjaftojnë 5 ligjvënës nga 10 që kanë pakicat jo serbe.
Me pothuajse të gjitha votat e rregullta të numëruara, partia e Albin Kurtit ka fituar 49.3%, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 21.01, Lidhja Demokratike me 13.59 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5.68%. Ndërkaq, Lista Serbe e afërt me Beogradin fitoi 4.74% të votave.
Albin Kurti, shpalli fitoren në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe tha se kjo është fitorja “më e madhe në historinë e vendit”. Sipas tij, rezultati zgjedhor kërkon të ecet përpara, pa vonesa. KQZ-ja deklaroi se procesi u zhvillua në mënyrë të qetë dhe pa incidente serioze. Pjesëmarrja ishte 45%.
Paraliza institucionale e vitit 2025 bëri që në Kosovë të mos miratoheshin ligje të rëndësishme. Të paktën në dhjetor, vendit i erdhi një lajm i mirë. Bashkimi Europian vendosi t’i heqë të gjitha masat ndëshkuese duke i mundësuar të përfitojë miliona euro ndihmë financiare, që në fillim të këtij viti.
Vendimi i BE-së për heqjen e masave ndëshkuese Kosovës nuk erdhi nga hiçi. Gjithçka pasoi zhvillimet e datës 5 dhjetor kur në veriun me shumicë serbe u bë kalimi paqësor i pushtetit lokal te Lista Serbe, tre vjet pasi kishte bojkotuar duke bërë që katër komuna të veriut të drejtoheshin nga kryetarë shqiptarë.
Në vitin që lamë pas, Kosova zhvilloi edhe zgjedhje lokale. Pas votimit të 12 tetorit, 18 komuna kaluan në balotazh më 9 nëntor, mes tyre edhe Prishtina ku në fund fitoi kandidati i Lidhjes Demokratike, Përparim Rama. Rivali i Vetëvendosjes, Hajrullah Çeku, i uroi fitoren.
Në shtator 2025, Amerika pezulloi dialogun strategjik me Kosovën, për shkak të veprimeve të qeverisë në detyrë, duke përmendur rritje të tensioneve e të paqëndrueshmërisë. Ky dialog ishte planifikuar për të forcuar lidhjet ekonomike e diplomatike, por veprimet e kryeministrit Kurti u panë si sfida për përparimin.
Qeveria Kurti i hodhi poshtë kritikat amerikane. Kabineti në detyrë deklaroi: “veprimet tona, të ligjshme dhe kushtetuese, përgjatë gjithë kohës kanë qenë në shërbim të eliminimit të vatrave të destabilitetit, me qëllim garantimin e stabilitetit të qëndrueshëm dhe afatgjatë”.
Në mars të 2025-ës, Kosova iu bashkua Shqipërisë dhe Kroacisë në nënshkrimin e një deklarate të përbashkët për të forcuar bashkëpunimin në sfidat e sigurisë, kërcënimeve hibride e risqeve të tjera që mund të rrezikojnë stabilitetin rajonal. Serbia i akuzoi se veprojnë kundër saj, duke vënë në pikëpyetje të drejtën e tyre për të bashkëpunuar ushtarakisht.
Në tetor, Shtetet e Bashkuara i vunë sanksione kompanisë kryesore të naftës dhe gazit të Serbisë e kjo për shkak të pronësisë ruse. Në dhjetor, presidenti i Rusisë, Putin tha se kanë ide si mund të dilet nga kriza, por nuk dha detaje.
Në Ballkanin Perëndimor, Serbia rezultoi vendi më i goditur nga tarifat amerikane të vendosura nga Trump në prill të 2025-ës. Ato janë 37%, 2 përqind më të larta se të produkteve nga Bosnja.
Edhe më 2025-ën, nuk munguan protestat masive në Serbi e që presidenti Vuçiç është përpjekur t’iu minimizojë rëndësinë. Por, fakt është se nën presionin e tyre, në fillim të vitit ra qeveria dhe në prill, detyrën e kryeministrit e mori mjeku Gjuro Macut.
Emërimi i një kryeministri të ri në Serbi nuk ndryshoi gjë. Që nga maji protestuesit e drejtuar nga studentët kërkuan largimin e Vuçiçit e zgjedhje të parakohshme, krahas kërkesës për përgjegjësi penale lidhur me aksidentin e 1 nëntorit 2024 në Novi Sad, me 16 viktima nga shembja e një strehe betoni në staconin hekurudhor. Protestuesit ngrejnë akuza për korrupsion sistematik.
Nga Serbia, në Republikën Serbe të Bosnjës. Në fund të tetorit, Shtetet e Bashkuara hoqën nga lista e sanksioneve, ish-liderin e serbëve atje, Milorad Dodik. Po ashtu, anëtarë të familjes, kompanitë e tyre dhe bashkëpunëtorët e ngushtë. Dodik ishte sanksionuar dy herë për shkak të shkeljes së Marrëveshjes së Dejtonit për Paqen. Zyra amerikane për Kontrollin e Pasurive të Huaja nuk dha shpjegime për heqjen nga lista e sanksioneve.
Më herët, Milorad Dodikut iu hoq mandati i presidentit të serbëve të Bosnjës, pas dënimit për mosrespektim të vendimeve të Christian Schmidtit. Përfaqësuesi ndërkombëtar mbikëqyr marrëveshjen e paqes që mban të bashkuar Bosnjën, pas përfundimit të luftës ndëretnike të viteve ‘90. Më 23 nëntor, Sinisha Karan, aleat i ngushtë i Milorad Dodikut fitoi zgjedhjet e parakohshme presidenciale në Bosnjë, në një garë të ngushtë me kandidatin e opozitës në Republikën Serbe.
Maqedonia e Veriut u trondit nga një tragjedi në mars të vitit të kaluar. 63 vetë humbën jetën dhe rreth 200 u plagosën kur një zjarr përfshiu një klub nate të tejmbushur për koncertin e grupit muzikor DNK, në Koçan. Nga mjetet piroteknike, flakët nisën në pjesën e tavanit në objektin që nuk përmbushte asnjë standard sigurie. Në një hap të rëndësishëm drejt gjykimit të atyre që besohet se ishin përgjegjës për një nga zjarret më vdekjeprurës në klubet e natës në Europë, në tetor, një gjykatë konfirmoi aktakuzat ndaj 34 personave.
BOTA
Janë një sërë ngjarjesh nga bota që morën vëmendje globale më 2025-ën. Konfliktet e zgjatura arritën pika kritike ndërsa nuk munguan katastrofat natyrore me pasojat e tyre shkatërrimtare.
Nuk ka dyshime se me rikthimin në krye të Shtëpisë së Bardhë në janar, Donald Trump dominoi dhe jo vetëm në Amerikë. Trump nuk humbi kohë e hapi luftë globale me tarifat duke e futur botën në një udhëkryq ekonomik. Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara nisi edhe fushatën më të madhe të deportimit të emigrantëve ilegalë, me dëbime të menjëhershme e pa vendim gjykate.
Më 23 dhjetor erdhi një lajm i keq për administratën Trump sa i përket kontrollit të emigracionit. Gjykata e Lartë refuzoi kërkesën e presidentit amerikan për të vendosur trupa të Rojes Kombëtare në Illinois e në veçanti në Çikago, me pretendimin se qyteti dhe rrethinat po zhyten në kaos e në paligjshmëri.
Dhe sërish Trump. Plani i tij i paqes për Gazën, me 20 pika u njoftua në shtator duke u diskutuar gjerësisht. Nuk vonoi shumë e më 9 tetor, pas 2 vitesh luftë, Izraeli e Hamasi arritën marrëveshje për armëpushim, çka u cilësua “hap i rëndësishëm drejt paqes së qëndrueshme në Lindjen e Mesme”.
Me akordin historik, presidenti Trump siguroi një nga arritjet më të mëdha të politikës së jashtme të mandatit të dytë në detyrë. Izraeli kërkoi që numri një i Shtëpisë së Bardhë të vlerësohej me Nobelin për Paqen, por që për 2025-ën u fitua nga venezueliania Marina Corina Machado, kundërshtare e regjimit të presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro.
Nëse armëpushimi ruhet e marrëveshja zbatohet me sukses, nga ekspertët, Donald Trump konsiderohet “kandidat potencial” për Nobelin e Paqes 2026. Marrëveshja u prit me gëzim dhe u përshëndet ndërkombëtarisht, por Gaza vazhdon të përjetojë një krizë humanitare edhe pse në tetor u deklarua “fundi” i konfliktit.
Para qetësimit të ujërave në Gaza, Izraeli iu kthye Iranit, vend me të cilin pati 2 përballje direkte në vitin 2024. Shteti hebre iu rikthye Republikës Islamike e më 13 qershor i goditi vende të zhvillimit të programit bërthamor, baza ushtarake dhe infrastrukturën.
Me intensifikimin e luftimeve Izrael-Iran, Shtetet e Bashkuara vendosën të përfshiheshin duke bombarduar pikat më kritike e të fortifikuara të programit bërthamor iranian e që Izraeli nuk mundi t’i shkatërronte i vetëm. Një armëpushim u njoftua më 24 qershor, duke çuar në fundin e luftës 12 ditore.
Në fillim të shtatorit, vëmendja amerikane u fokusua në nisjen e një sërë sulmesh ndaj anijeve të vogla civile në apo pranë ujërave të Venezuelës. Uashingtoni tha se po godiste trafikun ndërkombëtar të drogës dhe terrorizmin.
Në mes të dhjetorit u kthyen në tragjedi festimet e festivalit hebre Hanukkah në Bondi Beach të Sidneit, në Australi. 15 vetë u vranë dhe mbi 40 u plagosën kur Sajid Akram dhe djali tij Naveed hapën zjarr ndaj pjesëmarrësve. Policia australiane ekzekutoi Sajidin e plagosi të birin. Atyre iu gjetën pajisje shpërthyese e një flamur i ISIS-it.
Më 10 shtator 2025, nga Shtetet e Bashkuara erdhi lajmi i vrasjes së aktivistit konservator, Charlie Kirk. 32 vjeçari i njohur si aleat i presidentit Trump u qëllua gjatë një aktiviteti në Universitetin e Utah-s. Në pranga ra një 22 vjeçar i arratisur pas krimit, por që iu dorëzua policisë nga familja.
Vrasja e Charlie Kirk-ut nuk ishte rast i izoluar në Amerikë ku në qershor, po të 2025-ës, aktet e dhunës politike çuan në atentate ndaj dy ligjvënësve në Minesota. Politikania Melissa Hortman dhe bashkëshorti humbën jetën ndërsa i njëjti agresor shënjestroi senatorin John Hoffman, i cili u plagos bashkë me gruan, por mbijetuan. Në pranga ra Vance Boelter, 57 vjeç.
Mes konflikteve që nuk “fle” është ai Rusi-Ukrainë, i nisur në shkurt të 2022-shit. Për fundin e luftës ruse në shtetin fqinj, Shtetet e Bashkuara synojnë të ulin në një tryezë përfaqësues nga Kievi dhe Moska. Ndërkaq, kostot njerëzore janë tronditëse: mbi 790 mijë viktima ruse e 400 mijë ukrainase. Deri tani, Rusia kontrollon 19% të territorit të Ukrainës.
28 shkurti 2025 u kthye në një prej ditëve më të diskutuara të vitit që lamë pas. Një takim që duhej të hynte në histori, mori vëmendje për motive të gabuara. Në një diskutim të ndezur në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Trump dhe zv.presidenti Vance, kritikuan publikisht presidentin ukrainas Zelenskyy. Zyrtarët e lartë amerikanë ndërprenë takimin dhe lanë pa firmosur një marrëveshje për mineralet.
Krahas Shqipërisë dhe Kosovës, 2025-a ishte vit zgjedhor në shumë vende të botës. Personat me të drejtë vote u thirrën t’i drejtoheshin kutive të votimit në Gjermani, Kanada, Australi, Republikën Çeke, Argjentinë, Venezuelë, Kore të Jugut, Bjellorusi, Greqi, Ekuador, Poloni e Singapor.
Zohran Mamdani i cili e përshkruan veten si social-demokrat u zgjodh kryebashkiak i Nju Jorkut, në nëntor. Kur shpalli kandidaturën në tetor të 2024-ës nuk ishte figurë shumë e njohur, por në garën elektorale mundi emra me peshë, me premtimin për ta bërë më të përballueshme jetesën në Nju Jork.
Në Japoni, Sanae Takaichi mori detyrën më 21 tetor si e para kryeministre grua në vendin aziatik. Konservatore e linjës së ashpër, Takaichi është kryetarja e Partisë Liberal-Demokrate.
Më 28 mars, një tërmet i magnitudës 7.7 Rihter goditi Mianmarin duke shkaktuar mbi 3 mijë e 600 viktima dhe mijëra të plagosur.
Uragani Melissa u kthye në katastrofën natyrore simbol të vitit të kaluar kur më 27 tetor goditi Xhamajkën, me erëra dhe shira tepër të fuqishëm. Imazhet e artikujt e asaj dite ngjallën interesin më të madh mediatik se të çdo katastrofe natyrore të 2025-ës.
Më 8 maj ndodhi diçka që deri atëherë nuk ishte shënuar në historinë e Kishës Katolike: një amerikan u zgjodh në krye të Selisë së Shenjtë. Kardinali Robert Francis Prevost është Papa Leoni XIV.
Data 12 qershor e vitit 2025 lidhet me një tragjedi ajrore në Indi. Nga rrëzimi i një avioni në Ahmedabad me 242 pasagjerë dhe ekuipazh në bord, vetëm një person mbijetoi. Viktima pati edhe në tokë, një shifër e pasaktësuar mes 19 e 33 njerëzish që humbën jetën.
Në ditët e fundit të nëntorit, Hong Kongu pësoi humbje tragjike. Për mbi 40 orë, një zjarr masiv dogji një kompleks apartamentesh duke vrarë më shumë se 150 persona. Po hetohet për dyshimet se materialet e ndërtimit ishin jashtë standardeve.
Pasi në nëntor të 2025-ës, presidenti Trump dha ok-ein, Departamenti amerikan i Drejtësisë publikoi me mijëra dokumente të lidhura me hetimet mbi ish-financierin Jeffrey Epstein. Në dosjen më të gjerë të bërë publike deri më tani ka dokumente edhe për vdekjen e tij më 2019-ën. Epstein i dha fund jetës në qeli pasi u gjet “fajtor” për abuzim seksual dhe trafik ndërkombëtar minorenesh. Rezulton se në 8 raste, në vitet 1993-1996, Donald Trump udhëtoi me të në avionin privat të Epstein-it, të shoqëruar nga një 20 vjeçare.
Në një ditë të diele tetori të vitit që sapo lamë pas, një grup grabitësish kryen një grabitje në Muzeun e Luvrit në Paris. Në më pak se 10 minuta morën 9 bizhuteri të shekullit të 19-të. Autoritetet franceze arrestuan të dyshuarit, por pa arritur të rikuperojnë bizhuteritë.
Bota e Hollivudit ishte në zi kur më 14 dhjetor, regjisori i njohur amerikan Rob Reiner 78 vjeç dhe bashkëshortja Michele Singer 68 u vranë në vilën e tyre. Policia amerikane arrestoi djalin 32 vjeçar të çiftit, Nick, i cili u akuzua për vrasjen e dyfishtë.
Pas 21 ditësh në qeli, ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy u lirua nga burgu më 10 nëntor, për t’u vendosur në liri të mbikëqyrur, në pritje të Apelit, në mars të këtij viti. Shkalla e Parë e dënoi me 5 vjet burg pasi u shpall “fajtor” për financim të fushatës së tij zgjedhore me paratë e ish-diktatorit të Libisë, Muammar Gaddafi.
Në nëntor, Drejtori i Përgjithshëm i BBC-së, Tim Davie dhe Drejtoresha Ekzekutive e Lajmeve, Deborah Turness, dhanë dorëheqje pas kritikave se një dokumentar i transmetuar “mashtroi” shikuesit duke redaktuar një fjalim të Donald Trump-it, që të dukej sikur inkurajonte trazirat në Capitol Hill, në janar 2021. Presidenti amerikan nuk e la me kaq dhe e paditi BBC-në duke kërkuar 5 miliardë dollarë dëmshpërblim.
Në një vendim që prek edhe Shqipërinë, muajin e kaluar u njoftua pezullimi i Lotarisë Amerikane pas një sulmi me armë në Universitetin Brown. Autori i dyshuar, një shtetas portugez i cili u gjet i vdekur kishte hyrë në SHBA përmes programit të vizave të diversitetit duke përfituar edhe Green Card.
Në dhjetor, revista e njohur Time veçoi arkitektët e Inteligjencës Artificiale si personazhe të 2025-ës duke ndikuar më së shumti lajmet dhe jetët tona, në të mirë e në të keq duke mishëruar atë që ishte e rëndësishme në vitin që lamë pas.
Në korrik, presidenti Trump ndërmjetësoi një armëpushim të brishtë mes Tajlandës dhe Kamboxhias që edhe në dhjetor u përplasën për kufirin e kontestuar. Dy shtetet e Azisë Juglindore thonë se nuk tërhiqen nga mbrojtja e sovranitetit.
Më 3 tetor, reperi i njohur amerikan, Sean “Diddy” Combs u dënua me mbi 4 vjet burg për akuza që lidhen me prostitucionin. 55 vjeçari i arrestuar në shtator të 2024-ës, nuk u gjet fajtor për akuzat më serioze të shantazhit e trafikimit seksual. Vendimi u dha në gjykatën federale të Manhattanit.
SPORT
2025-a, ishte një bum emocionesh në sport, duke nisur nga suksesi historik i Shqipërisë dhe Kosovës, që për herë të parë u kualifikuan në fazën play-off të Kupës së Botës, një moment që ngriti lart futbollin në Shqipëri e Kosovë.
Për herë të parë në histori, Kombëtarja u kualifikua në fazën play-off të Botërorit 2026. Që të sigurojmë biletën për eventin madhor të këtij viti, më 26 mars përballemi me Poloninë në Varshavë e më pas me fituesin e çiftit Suedi-Ukrainë. Nëse kuqezinjtë ia dalin do të duhet të vendosen në Grupin F të Botërorit, me Holandën, Japoninë dhe Tunizinë.
Sa i përket Kosovës, në rast se në mars 2026, dardanët fitojnë dy ndeshjet, atë me Sllovakinë dhe me fituesin e çiftit Turqi-Rumani, nuk ka diskutim që do të jenë në Grupin D, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australinë e Paraguain.
Me një mbrëmje gala, më 15 dhjetor u kurorëzuan më të mirët e futbollit shqiptar. Në ceremoninë e zhvilluar në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Bekim Balaj fitoi “Topin e Artë” duke u shpallur futbollisti më i mirë i vitit në Shqipëri. Megi Doçi u nderua me “Topin e Artë” si futbollistja më e mirë e 2025-ës.
Viti 2025 nisi mbarë për skiatoren Lara Colturi. Më 4 janar, përfaqësuesja e Shqipërisë u rendit e dyta në Kupën e Botës në Ski. Në formë të shkëlqyer u rikonfirmua edhe në nëntor, në garat e Finlandës dhe Austrisë.
Me Elizon Kacanjën dhe Joanis Myrtollarin, në muajin mars, Shqipëria siguroi medalje argjendi dhe bronzi në Ski Alpine, në Lojërat Olimpike Speciale Botërore Dimërore në Torino të Italisë.
Në prill, Shqipëria fitoi dy medalje në Kampionatin Europian të Mundjes, në Sllovaki. Chermen Valiev u shpall kampion i Europës në peshën deri në 74 kg ndërsa sportisti tjetër kuqezi Zelimkhan Abakarov u nderua me medalje bronzi në peshën deri 61 kg.
Me dy medalje bronzi që konfirmojnë forcën e brezit të ri të peshëngritjes shqiptare, në prill, vendi ynë u ngjit në podiumin e Europianit për të Rritur në Moldavi, me Kristi Ramadanin.
Një nga emrat më të shquar të futbollit shqiptar, Artur Lekbello u nderua me titullin “Legjendë e Futbollit” në muajin prill.
Më 21 prill, xhudistja Distria Krasniqi u shpall kampione e Europës. Në Europianin e zhvilluar në Malin e Zi, sportistja e talentuar siguroi medaljen e artë për Kosovën.
Më 1 maj, Dinamo City fitoi trofeun e Kupës së Shqipërisë pasi mundi Egnatian në një ndeshje të vendosur nga penalltitë në “Elbasan Arena”. Dinamo fitoi Superkupën e Shqipërisë më 28 dhjetor, pasi mundi 1-3 Egnatian në Arenën Kombëtare.
Po më 1 maj, Besëlidhja u shpall kampione e Shqipërisë në basketboll për meshkuj, për sezonin sportiv 2024-2025.
Në fillim të majit, peshëngritësja Enkileda Carja u shpall kampione bote në Botërorin e Peshëngritjes për moshat deri 17 vjeç në Lima të Perusë ndërsa në korrik, kampione e trefishtë e Europës në Madrid të Spanjës.
Në datat 9 deri më 11 maj, mbi 200 televizione në botë e më shumë se 800 milion teleshikues i kishin sytë nga Shqipëria, në kuadër të edicionit të 108-të të Giro d’Italia-s, një prej xhirove më të famshme të çiklizmit në botë. Tjetri U zhvilluan në Durrës, Tiranë e Vlorë, tri etapat e para të eventit me pjesëmarrjen e 23 skuadrave dhe 184 çiklistëve. Xhiron e nisur nga Shqipëria e fitoi britaniku Simon Yates.
Më 12 maj, në “Arenën Kombëtare” u luajt finalja e madhe e futbollit, Vllaznia-Egnatia për titullin kampion për 2024-2025. Ekipi shkodran humbi thellë në ndeshjen që përfundoi 0-4, në favor të Egnatias.
Nga 19 maji e deri më 1 qershor, në vendin tonë u zhvillua Kampionati Europian për moshat U-17 “Shqipëri 2025”. Portugalia fitoi titullin e tretë, pas triumfeve në vitet 2003 e 2016.
Mbrëmjen e 28 majit, Chelsea anglez u rikthye nga një disavantazh 0-1, për të mposhtur skuadrën spanjolle Real Betis, me rezultatin 4-1 dhe fitoi Conference League-n në Poloni. Chelsea përsëriti suksesin më 13 korrik dhe fitoi Kupën e Botës për Klubet pasi në finale mundi PSG-në 3-0.
Më 31 maj, Paris Saint Germain, PSG, fitoi Champions League-n kur me rezultatin e thellë 5-0 mundi Interin e Italisë, në stadiumin “Allianz Arena” të Mynihut.
Boksieri Nelson Hysa shënoi një fitore të shpejtë e dominuese për peshat e rënda. Në Ipswich të Anglisë, mbrëmjen e 7 qershorit, shkodrani hodhi në tapet me “K.O” rivalin Patrick Korte e mbrojti titullin WBO për zonën europiane.
Mbrëmjen e 8 qershorit 2025, Portugalia fitoi Ligën e Kombeve, 5-3 me penallti kundër Spanjës. Sfida u luajt në ” Allianz Arena”.
Në Kampionatin Botëror të Xhudos, në Budapest të Hungarisë, Laura Fazliu nga Kosova, u rendit e treta qershorin e kaluar duke fituar medalje bronzi.
Më 26 qershor, mundësi i Shqipërisë, Chermien Valiev siguroi një tjetër sukses për 2025-ën pas Sllovakisë. Në Kampionatin e Ushtrisë në Gjermani u shpall kampion bote.
Korrikun e kaluar, tenisti italian Jannik Sinner triumfoi në finalen e madhe të Wimbledon-it duke mposhtur spanjollin Carlos Alcaraz.
Me finalen e vendosur pas penalltive, Anglia e femrave u shpall kampione e Europës në futboll, më 27 korrik pasi me penallti mundi Spanjën.
Nga data 10 e deri më 12 shtator, për herë të parë, Shqipëria priti mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, duke u kthyer në skenën e një prej ngjarjeve më të rëndësishme të qeverisë të futbollit europian.
Më 22 shtator, Ousmane Dembele për meshkuj dhe ylli i Spanjës, Aitana Bonmati për femra fituan Topin e Artë, në një ceremoni në Paris. Sulmuesi i PSG-së u bë francezi i 6-të që merr këtë çmim. Në dhjetor, plotësuan suksesin e tyre në Doha të Katarit, duke u shpallur lojtarët më të mirë nga FIFA për 2025-ën.
Në fund të shtatorit, Marc Marquez nga skuadra “Ducati Lenovo” fitoi titullin e 7-të kampion bote në MotoGP.
Më 26 tetor, boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj u shpall kampion bote në versionin IBO Cruiserweight për peshën e rëndë kur mposhti kundërshtarin kamerunas, Rolly Lambert Fogoum në “O2 Arena” të Londrës.
Në Kampionatin Europian të Peshëngritjes për të rinj dhe moshat U-23 që në nëntor u zhvillua në Durrës, Ertjan Kofsha u rendit i treti me dy medalje bronzi ndërsa Enkileda Carja theu 6 rekorde europine dhe u vlerësua me 3 medalje ari. Në fillim të dhjetorit, peshëngritësja e Partizanit, Desjana Koni fitoi dy medalje bronzi në Kampionatin Ballkanik në Durrës.
Në dhjetor, për të parën herë, Lando Norris i McLaren-it, siguroi titullin botëror të pilotëve në Formula 1. Norris është i pari që e fitoi për ekipin britanik që nga 2008-ta kur u mundësua nga Lewis Hamilton. Për 2025-ën, McLaren garantoi edhe titullin e Konstruktorëve.
LAMTUMIRAT
2025-a ishte viti i ndarjeve nga jeta të shumë figurave të shquara në art, politikë, sport dhe jo vetëm.
Legjenda e futbollit shkodran, Sabah Bizi ndërroi jetë më 16 janar, në moshën 77 vjeçare. “Nderi i Kombit” la pas një karrierë të shkëlqyer me Vllazninë dhe Kombëtaren.
Më 25 janar, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos mbylli sytë në moshën 95 vjeçare. Drejtimin e Kishës Ortodokse Autoqefale e mori Imzot Joan Pelushi, i zgjedhur në muajin mars.
Diplomati dhe publicisti, Shaban Murati u nda nga jeta më 14 shkurt. Në karrierën e gjatë shërbeu si ambasador i Shqipërisë në disa vende e si drejtues i Akademisë Diplomatike. Autor e analist, ka publikuar libra për Ballkanin e marrëdhëniet ndërkombëtare.
U përplas nga një makinë gjatë stërvitjes në jugperëndim të Irlandës, atletja shqiptare e maratonave, Anila Muçaj humbi jetën më 2 mars. 48-vjeçarja nga Tepelena ishte nënë e dy fëmijëve.
Më 9 mars 2025, ish-deputeti socialist, Andis Harasani, i cili ka qenë edhe drejtor i KESH-it, ndërroi jetë në moshën 53 vjeçare në Nju Jork, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.
Në moshën 57 vjeçare, gazetari sportiv, Saimir Demi u nda nga jeta më 23 mars, pas një sëmundjeje të rëndë.
Vetëm një ditë pasi festoi 93 vjetorin e lindjes, më 3 prill u shua aktorja Margarita Xhepa, ikonë e teatrit dhe kinemasë shqiptare.
Më 7 prill u mësua lajmi i vdekjes së Bardhyl Hoxhës, ish-trajner kampion i Vllaznisë së Shkodrës dhe Kombëtares Shqiptare të Gjimnastikës.
Pas homazheve në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, më 21 prill iu dha lamtumira legjendës së portës, figurës së futbollit shkodran, Paulin Ndoja.
Më 23 maj, Artan Lame ndërroi jetë në Mynih të Gjermanisë për shkak të problemeve kardiake. Zë i fortë në debatin publik shqiptar, Lame ishte historian, publicist e politikan.
Më 24 maj, u shua regjisori Piro Milkani, emër i rëndësishëm i kinematografisë shqiptare, i cili la gjurmë të thella në historinë e kinemasë tonë.
Leka Bungo, regjisor, aktor e skenarist, u nda nga jeta më 11 qershor në moshën 81 vjeçare. Emër i njohur i artit, la pas kontribute të rëndësishme në teatër, film e televizion.
Më 23 korrik, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërroi jetë Violeta Sekuj. Regjisorja e aktorja e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës ishte 94 vjeçe.
Gazetari dhe publicisti, Artur Zheji, i cili ka mbajtur edhe funksione drejtuese në media u nda nga jeta nga një arrest kardiak më 23 gusht, vetëm 6 ditë para 64 vjetorit të lindjes.
Naun Shundi u shua në moshën 66 vjeçare. Më 28 gusht, aktori, regjisori dhe dramaturgu humbi betejën me sëmundjen e rëndë nga e cila vuante prej kohësh.
Shtatori 2025 hyri me një lajm të trishtë për artin. Regjisori Dhimitër Anagnosti, figurë e shquar e panteonit të kinematografisë shqiptare mbylli sytë në moshën 89 vjeçare. Sipas amanetit të lënë, prehet në Vuno.
Mjeshtri i artit skenik, aktori dhe regjisori i njohur nga Kosova, Enver Petrovci u nda nga jeta më 22 shtator 2025. Ishte 71 vjeç.
Soprano Luiza Çako u shua më 29 shtator, në moshën 88 vjeçe. Nga muzika popullore, deri te veprat operistike më të mëdha, i dha jetë dhjetëra roleve, duke mbetur e paharruar në kujtesën e publikut.
Fatos Nano u nda nga jeta më 31 tetor, në moshën 73-vjeçare. Një nga figurat më me ndikim të tranzicionit politik shqiptar, si kyeministër e drejtoi vendin tri herë. Për më shumë se një dekadë udhëhoqi Partinë Socialiste, madje edhe nga qelia ku qëndroi për rreth 4 vjet pas arrestimit më 1993-shin, me akuza që i cilësoi “të motivuara politikisht”. Duke vendosur bazat e të majtës moderne, Fatos Nano transformoi Partinë e Punës në Partinë Socialiste. Nga politika aktive u tërhoq më 2005-ën, duke mbyllur një kapitull të rëndësishëm të tranzicionit në Shqipëri.
Më 26 nëntor, papritur u nda nga jeta në moshën 40 vjeçare, Shpat Kasapi. Këngëtari i njohur nga Tetova pësoi arrest kardiak në Itali. Me këngë të shndërruara në hite, rrëmbeu zemrat e publikut.
Më 21 dhjetor u mësua lajmi i ndarjes nga jeta të profesor Ismet Bellovës, komentatorit të shquar, figurë e respektuar e gazetarisë sportive, i cilësuar “legjendë e mikrofonit”, që me zërin emblematik përcolli emocionet e futbollit.
Shemsi Krasniqi, vokalisti i grupit “Ilirët” u gjet i pajetë më 22 dhjetor, në banesën e tij në Prishtinë. Për rrethanat e vdekjes së këngëtarit 70 vjeçar nisi një hetim.
Ditët e fundit të vitit erdhën me lajmin për një humbje të rëndë për sportin e basketbollit dhe për Dinamon, pasi ish-basketbollisti Enea Andrea ndërroi jetë në mënyrë të papritur e të parakohshme, në moshën 54-vjeçare.
Në vitin që lamë pas, mbarë bota vajtoi ndarjen nga jeta të Françeskut, më 21 prill. I zgjedhur Papë më 2013-ën, zbatoi reforma në Kishën Katolike dhe spikati për përulësinë e treguar. Do të mbahet mend për ndjesën historike ndaj viktimave të abuzimeve seksuale të klerikëve dhe si avokat i palodhur në mbrojtje të emigrantëve e shtresave të margjinalizuara të shoqërisë.
Në Europë e në Shtetet e Bashkuara ndërruan jetë politikanë të njohur, si ish-kryeministri grek, Costas Simitis, ish-lideri nacionalist francez, Jean-Marie Le Pen, ish-presidenti gjerman, Horst Kohler dhe ish-zv.presidenti amerikan, Dick Cheney.
Më 2025-ën iu dha lamtumira rebelit britanik të muzikës, Ozzy Osbourne, këngëtarit e kitaristit anglez, Chris Rea, i cili na dhuroi hitin “Driving home for Christmas”, regjisorit dhe skenaristit amerikan David Lynch, aktorëve hollivudianë Gene Hackman, Val Kilmer, Robert Redford, Diane Keaton, si edhe legjendës së wrestling-ut e showbiz-it amerikan, Hulk Hogan.
Pas një sëmundjeje të gjatë, Giorgio Armani 91 vjeç mbylli sytë më 4 shtator të 2025-ës, duke shënuar fundin e një legjende të modës italiane e botërore. Për elegancën minimaliste që ripërkufizoi stilin, u pagëzua si “Mbreti Giorgio”.
Gjiganti i televizionit italian, Pippo Baudo u nda nga jeta më 16 gusht, pasi më 7 qershor kishte mbushur 89 vjeç. Mbi 1 muaj më pas, më 23 shtator u shua aktorja italiane Claudia Cardinale. Ikona e kinemasë së viteve ‘60 ishte e sëmurë prej kohësh. Italia i dha lamtumirën edhe Ornella Vanonit. “Zonja e muzikës” mbylli sytë më 21 nëntor, në moshën 91 vjeçare.
Më 13 prill të vitit që lamë pas u njoftua ndarja nga jeta e shkrimtarit peruan, Mario Vargas Llosa, fitues i Nobelit në Letërsi më 2010-ën. Novelat dhe esetë e tij iu bënë jehonë ndryshimeve sociale.
Portieri i madh argjentinas, Hugo Gatti vdiq në moshën 80 vjeçare, më 20 prill. Në karrierën 25 vjeçare, stili i lojës i dhanë pseudonimin “El Loco” (I çmenduri).
Bota e futbollit u trondit më 3 korrik. Sulmuesi 28 vjeçar i Portugalisë e Liverpool-it, Diogo Jota vdiq në një aksident me makinë në Spanjë. Viktimë mbeti edhe vëllai i tij, Andre. Më 5 korrik, dy vëllezërve Jota iu dha lamtumira e fundit.
Brigitte Bardot, fytyra e përjetshme e kinemasë franceze dhe një simbol i lirisë së grave ndërroi jetë më 28 dhjetor, në moshën 91 vjeçe, duke lënë pas një trashëgimi që krahas kinematografisë, përfshin edhe të drejtat e kafshëve. Reagoi presidenti francez Emmanuel Macron, i cili tha se “vajtojnë legjendën e shekullit”.