Rajoni

Skandali me fondet e BE-së për bujqësinë në Greqi, nuk ka hetim ndaj dy ish-ministrave!

Parlamenti grek hodhi poshtë të gjitha propozimet për nisjen e hetimeve paraprake ndaj ish-ministrave të Bujqësisë, Makis Voridis dhe Lefteris Avgenakis, lidhur me dyshimet për abuzim me fondet e Bashkimit Europian për bujqësinë në vitet 2019-2022.

Katër mocione të paraqitura nga SYRIZA, E Majta e Re, PASOK dhe deputetë të pavarur nuk arritën të merrnin shumicën e nevojshme prej 151 votash. Propozimet për hetim ndaj Voridisit morën vetëm 3 vota pro secili, ndërsa ato për Avgenakis morën 5 vota pro. Shumica e deputetëve votuan kundër.

Sipas akuzave, gjatë kohës që drejtonin Ministrinë e Bujqësisë, Voridis dhe Avgenakis dyshohet se kanë lejuar shpërndarjen e subvencioneve nga agjencia shtetërore OPEKEPE për ferma që nuk ekzistonin. Kryeprokurorja e BE-së, Laura Kovesi, ka zbuluar se disa deklarata të fermerëve ishin të falsifikuara, duke i kushtuar buxhetit të BE-së miliona euro.

Seanca parlamentare u zhvillua mes tensioneve të forta politike dhe debateve të ashpra deri pas mesnate. Opozita braktisi sallën duke akuzuar maxhorancën për parregullsi procedurale, pasi në fillim të votimit numri i deputetëve të pranishëm fizikisht nga Demokracia e Re ishte i kufizuar. Megjithatë, kryetari i seancës, Giorgos Georgantas, hodhi poshtë pretendimet dhe vijoi me një votim të fshehtë.

Sipas mediave greke, gjatë periudhës në fjalë buxheti për fermat organike ishte 298 milionë euro, ndërsa aplikimet për subvencione arritën në 705 milionë euro, duke ngritur dyshime të forta për abuzime në shkallë të gjerë.