Sport

Skënder Gega rikthehet me fitore te Partizani, Dinamo “mbytet” në “teatrin” e Korçës

Partizani ka mposhtur Laçin me rezultatin 1-0 në stadiumin “Arena e Demave”. Ndeshja ishte e vlefshme për javën e 32-të të Superiores dhe të kuqtë dalin nga kriza e rezultateve, falë golit të Elekes në pjesën e parë.

Kjo ishte dhe ndeshja e debutimit për Skënder Gegën, pas rikthimit në familjen e kuqe. Partizani ndodhet në vendin e katërt me 7 pikë më tepër se Elbasani, që përballet nesër me Tiranën.

Laçi mbetet në krizë me trajnerin Françesko Moriero. Aktualisht mban vendin e parafundit në renditjen e Superiores.

LEXO EDHE: Derbi Tirana-Partizani kthehet në “Arena Kombëtare”, dalin në shitje biletat për sfidën e fundit të këtij sezoni mes skuadrave

Skënderbeu mori një fitore të madhe duke mposhtur 4 -1 Dinamon.

Heroi i kësaj sfide ishte Nasr i cili realizoi tripletë dhe Nikaj që nuk gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Goli i vetëm për Dinamon u realizua nga Qardaku në minutën e 9-të.

Pas kësaj fitore, korçarët i largohen vendit të 10-të dhe ngjiten në të 7-in, ndërsa blutë mbeten në vendin e dytë.

Ndeshja e sotme mes Skënderbeut dhe Dinamos në Superiore ka dhuruar një tjetër çudi mes këtyre dy skuadrave në sezonin aktual duke prishur në mënyrë të dukshme garën në kompeticionet kombëtare.

Kujtojmë që në çerekfinalet e Kupës, pasi kishte fituar 2-0 ndeshjen e parë ndaj Dinamos, Skënderbeu luajti të dytën në fushën e vet me lojtarët e akademisë, duke ia dhuruar paraprakisht bluve kalimin në gjysëmfinale me disa gola qesharakë të pësuar në fund, që gjithsesi nuk shmangën kohët shtesë mes dy ekipeve.  Sot, Dinamo duket se ktheu borxhin, pasi luajti ndeshjen në Korçë me futbollistë që kanë qenë kryesisht zëvendësues, duke ulur në stol emra të rëndëishëm si Itodo, Zabërgja apo Gudiabi.

LEXO EDHE: DISIPLINA/ Dënim i rëndë për Koço Kokëdhimën, e pëson edhe presidenti i Bylisit pas akuzës për gjyqtarët dhe Sokol Jarecin

Një vendim i klubit kryeqytetas që padyshim mund të ndikojë garën për mbijetesë në Superiore e që shton edhe më shumë zërat për aleanca e marrëveshje mes skuadrave në fundin e kampionatit.