Aktualitet

“Skifter” i motomjeteve elektrike e biçikletave, arrestohet 46 vjeçari në Tiranë!

U kap në flagrancë duke vjedhur një biçikletë, në hyrje të një pallati në rrugën “Kastriotët” në Tiranë, pranga një 46 vjeçari. Nga policia e kryeqytetit, ai dyshohet si autor i 13 grabitjeve në muajt qershor e korrik, në lagje të ndryshme të Tiranës. Në shënjestër kishte motomjete elektrike e biçikleta. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi zyrtar: 

Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhes së pronës dhe pasurisë. U kap në flagrancë duke vjedhur një biçikletë, në hyrje të një pallati, vihet në pranga 46-vjeçari.

46-vjeçari dyshohet dhe si autor i 12 vjedhjeve të tjera të kryera gjatë muajit qershor dhe korrik. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me Komisariatet 2 dhe 4, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, kapën dhe vunë në pranga shtetasin F.B., 46 vjeç.

Ky shtetas u kap në flagrancë duke vjedhur një biçikletë, në hyrje të një pallati në rrugën “Kastriotët”. Gjithashtu, nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, gjatë periudhës qershor-korrik 2025, ka vjedhur 12 motomjete elektrike/biçikleta, në lagje të ndryshme të Tiranës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.