Aktualitet

Sot konkursi për kreun e Policisë së Shtetit, 14 kandidatë në garë!

Sot zhvillohet konkursi për përzgjedhjen e drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Duke nisur nga ora 09 e 30 do të nisin edhe seancat dëgjimore me të 14 kandidatët te Ministria e Brendshme. Pritet të shpalosin platformën e tyre për drejtimin e Policisë së Shtetit. Çdo kandidat ka 20 minuta kohë për të shpalosur platformën e më pas komisioni i posaçëm do t’i bëjë edhe pyetje.

Komisioni përbëhet nga kryetari, një zv.ministër i Brendshëm dhe nga dy anëtarë: Sekretarja e Përgjithshme e ministrisë dhe drejtori i AMP-së. Kandidatët do të paraqiten sipas rendit alfabetik. Në total vlerësimi i tyre ka 100 pikë: ai profesional ka 30 pikë maksimale, vlerësim moral dhe integriteti ka 10, vlerësimi organizativ dhe drejtues, 50 pikë dhe elementi shtesë në vlerësim si gjuhët e huaja e titujt akademikë kanë 10 pikë.

Në fund të këtij procesi, brenda 48 orëve, pra deri më 26 mars, Komisioni i Posaçëm do t’i dorëzojë në bazë të ligjit ministrit të Brendshëm listën me 5 kandidatët më të vlerësuar. Më pas, ministri do t’i përcjellë Këshillit të Ministrave emrin e kandidatit më të vlerësuar dhe vendimi për miratimin e emrit do të merret në mbledhje qeverie.

Në garën për kryepolic janë 14 drejtues, emra të njohur në polici si Pëllumb Seferi, Elidon Çela, Afrim Tafa, Tonin Vocaj, Skënder Hitaj, Gentian Berberi, Alfred Çepe, Arjanit Arapi, Gentjan Shehaj, Idajet Faskaj, Lorenc Panganika, Rebani Jaupi, Saimir Boshnjaku e Neritan Nallbati.

Komisioni i Posaçëm ka kryer edhe verifikimin e pastërtisë së figurës për të 14 kandidatët e kualifikuar, duke kërkuar të dhënat përkatëse nga organet ligjzbatuese si SPAK, SHISH, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, AMP dhe Agjencia e Informacionit të Sigurisë së Mbrojtjes (AISM).

Gjithashtu, seancat dëgjimore do të ndiqen nga misionet partnere pranë Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, ICITAP dhe EU4LEA, në rolin e vëzhguesit të procesit. Në udhëzim thuhet se edhe përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Europian dhe të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë, mund të marrin pjesë në seancat dëgjimore me kandidatët.