Aktualitet Sport

Sot miqësorja kundër Luksemburgut në Tiranë, ja rrugët që do të bllokohen! Kontrolle për tifozët!

Sot në orën 20:00 në stadiumin ‘Air Albania’ në Tiranë do të luhet sfida miqësore mes Shqipërisë dhe Luksemburgut. Policia ka publikuar planin e detajuar të masave për këtë sfidë, duke treguar edhe rrugët që do të bllokohen.

Zbatimi i masave do të fillojë nga ora 17:00, ndërsa hyrja e tifozëve në stadium do të fillojë në orën 18:00. Bie në sy se Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’ do të bllokohet nga hotel ‘Rogner’ në drejtim të sheshit ‘Nënë Tereza’, ndryshe nga ndeshja e tre ditëve më parë kundër Izraelit, kur Bulevardi ishte bllokuar që nga kryqëzimi i ish hotel ‘Dajtit’, diçka që solli një përplasje mes protestuesve dhe policisë. Protestat vijojnë prej gjashtë ditësh në Tiranë dhe jo vetëm, kundër ndërtimit të resortit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit në Vlorë.

Njoftimi i policisë:

Plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes miqësore të futbollit ndërmjet ekipeve kombëtare të Shqipërisë dhe Luksemburgut, që do të zhvillohet më datë 06.06.2026, në orën 20:00, në stadiumin “Air Albania”.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, duke filluar nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës, do të aplikojë kufizime të përkohshme të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.

Rrugët që do të jenë të bllokuara nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes janë:

-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga hoteli “Rogner” në drejtim të sheshit “Nënë Tereza”;

-Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së;

-Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;

-Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;

-Rruga “Themistokli Gërmenji”, në fillim të rrugës;

-Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së;

-Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës, korridor hyrës për në parkimin e caktuar vetëm për mjetet e autorizuara nga FSHF-ja;

-Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar;

-Te sheshi “Ëillson”, ku lëvizja do të devijohet në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”, pak para përfundimit të ndeshjes.

Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të lira për qarkullimin e mjeteve.

Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontrolle të imtësishme ndaj tifozëve para hyrjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes së banderolave me përmbajtje raciste, fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të telefonave celularë, mjeteve dhe produkteve kozmetike, si dhe sendeve të tjera të forta që mund të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.

Hyrja në stadium fillon në orën 18:00.

Për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë këtij aktiviteti sportiv, Policia e Shtetit ka angazhuar një numër të konsiderueshëm punonjësish policie.