Aktualitet

Sot nis rinumërimi i votave, pritet të hapen 44% e kutive në 4 qarqe!

Mëngjesin e sotëm, në Pallatin e Sportit “Fahrie Hoti” në Tiranë, nis rinumërimi i 2 mijë e 323 kutive të votimit nga zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, pas vendimit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS).

Procesi i rinumërimit do të nisë me 94 kutitë e bashkive Peqin e Gramsh të qarkut të Elbasanit (së bashku me kutitë e materialeve zgjedhore), për të vijuar me Tiranën (1.282 kuti), më pas Fierin (587 kuti), dhe në fund 360 kutitë e qarkut Durrës (275 kuti brenda vendit + 85 nga Diaspora.)

Procesi realizohet nga 24 tavolina numërimi, ku janë ngritur 24 grupe me gjithsej 63 punonjës të administratës zgjedhore (48 numërues + 15 zëvendësues). Rinumërimi parashikohet që të zgjasë deri në një muaj, për shkak të numrit më të ulët të tavolinave krahasuar me atë fillestar, më 11 Maj.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka deklaruar se nuk do të kërkojë buxhet shtesë, pasi kostoja prej 21 milion lekësh të rinj që parashikohet do të mbulohet nga kursimet e 11 Majit. Paratë pritet të shpenzohen për sistemin online të raportimit, logjistikën dhe materialet ndihmëse. Të pranishëm do të jenë edhe vëzhgues të autorizuar nga tre subjektet ankimuese: Koalicioni PD-ASHM, Partia Socialiste dhe Partia Mundësia e Agron Shehajt.

Me hapjen e 94 kutive në bashkitë Peqin e Gramsh do të krahasohen fletët e votimit me materialet zgjedhore. Në qarkun Tiranë pritet që të numërohen të gjitha votat si për partitë, ashtu edhe për kandidatët. Edhe në qarkun e Fierit po ashtu. Në Durrës, KAS-i vendosi të rinumërojë kutitë e KZAZ-ve 21 e 22 të kërkuara nga Partia Demokratike, si dhe 60 kuti të kërkuara nga kandidati demokrat Aulon Kalaja.