Sot në orën 19:00, Partia Demokratike zhvillon protestën e radhës kombëtare dhe mësohet se Policinë e Tiranës e ka njoftuar se do ta organizojë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Për të menaxhuar tubimin, blutë bëjnë me dije se do të angazhojnë më shumë se 1 mijë e 200 efektivë policie, ndërsa iu bëri thirrje organizatorëve, të respektojnë vendin e përcaktuar dhe orarin e njoftuar.
Nga policia u hartua një plan i posaçëm masash dhe prej mesnate, u kufizua qarkullimi në disa segmente, që deri në përfundim të protestës, nuk do të jenë të aksesueshme për automjetet.
Ndalimi i parkimit apo edhe i qarkullimit pas orës 15:00 do të jetë në fuqi në gjithë perimetrin e bulevardit, ndaj dhe uniformat blu kërkojnë mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e lëvizjes me automjete.
Për protestuesit, policia apelon që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin e sigurinë publike.