Aktualitet Politikë

Sot seanca për imunitetin e Belinda Ballukut/Opozita në protestë!

Sot në orën 10:00, Kuvendi i Shqipërisë mblidhet në seancën plenare ku duhet të votojë dy raportet e maxhorancës e të opozitës mbi kërkesën e SPAK-ut lidhur me dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetes socialiste, Belinda Balluku.

Socialistët thonë se pa një funksion ekzekutiv, Balluku nuk mund të prishë provat apo të arratiset, nuk mund të përsërisë veprën penale dhe rruga e SPAK-ut për ta hetuar për pabarazi në tenderë është e hapur, pa nevojën e masës “Arrest me burg”. Për ta rrëzuar këtë kërkesë, Partisë Socialiste i mjaftojnë 71 vota.

Por, demokratët insistojnë se heqja e imunitetit deputetes Balluku, për t’i dhënë dritën jeshile arrestimit, është domosdoshmëri, pasi “pavarësisht se e zhveshur nga postet ministrore, rrezikon të intimidojë dëshmitarët e të prishë provat”.

Raporti i PS-së do të lexohet nga Ulsi Manja, i PD-së nga Oerd Bylykbashi, pasi Gazment Bardhi është përjashtuar me 10 ditë nga punimet e Kuvendit.

Demokratët do ta rrethojnë Kuvendin në një protestë që pritet të nisë njëkohësisht me seancën plenare dhe do të mbyllet me përfundimin e saj, pa skenarë ngujimi.

Policia ka marrë të gjitha masat për garantimin e sigurisë.

Seanca plenare paraprihet nga një mbledhje grupi e PS-së.

Ndër të tjera, priten diskutime për Komisionet Parlamentare.

Rendi i ditës

I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 12.3.2026, ora 10:00.

II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 5.3.2026.

2. Njoftime.

3. Projektvendimi “Për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetes Belinda Balluku, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”.

4. Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e Metrit, nënshkruar në Paris, më 20 maj 1875, të ndryshuar me konventën e nënshkruar në Sèvres, më 6 tetor 1921, dhe rregulloren përkatëse”

5. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) (agjencia e zbatimit të projektit) dhe KfË, Frankfurt am Main (KfË), për rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës”.

6. Projektvendimi “Për disa shtesa në vendimin nr. 64/2025, “Për caktimin e anëtarësisë së komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar”.

7. Projektvendimi “Për një shtesë në vendimin nr. 65/2025, “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar”.

8. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.

IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë