Në rishikimin më të fundit, “Standard&Poor’s” (S&P) konfirmon për Shqipërinë vlerësimin aktual në “B+” si dhe me “Perspektivë të qëndrueshme”. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Vlerësimit, “Pandemia COVID-19 pati ndikim të drejtpërdrejtë veçanërisht në sektorin e turizmit në mbarë globin e Shqipëria nuk bën përjashtim, për shkak të peshës së lartë, që zë ky sektor në ekonominë e vendit”. Më tej, thekson se “Nëse ekonomia përkeqësohet më shumë nga sa parashikojnë institucionet, Qeveria ka ende hapësira për disa politika të mëtejshme”.
Për Shqipërinë, Agjencia e Vlerësimit “Standard&Poor’s” projekton që këtë vit, raporti i borxhit të përgjithshëm të rritet në gati 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ndërkaq, pritet të ulet nga 2021-shi e më tej, si rezultat i shuarjes së masave të jashtëzakonshme dhe rimëkëmbjes së ekonomisë. “S&P” vlerëson ekspozimin ndaj rreziqeve të mundshme fiskale, në formën e Partneriteteve Publike-Private (PPP) dhe nevojën për parashikueshmërinë e tyre. Agjencia shprehet se autoritetet po ndjekin në mënyrë aktive përpjekjet për të përmirësuar profilin e borxhit publik, i cili aktualisht karakterizohet nga risku i rifinancimit dhe ai i kursit të këmbimit.