SPAK-u mbylli hetimet dhe zyrtarisht, i komunikoi akuzën ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, i dyshuar për shpërdorim detyre, duke i shkaktuar shtetit një dëm financiar prej rreth 33 milion lekësh. Sot, Roshi u paraqit në mjediset e Prokurorisë së Posaçme, i shoqëruar nga avokati.
Sipas SPAK-ut, akuzat lidhen me periudhën 2013-2014, kohë gjatë së cilës, Elvis Roshi ushtronte funksionin e kryetarit të Bashkisë së Kavajës. Hetimi u nis në bazë të referimit të bërë në mars të 2024-ës, pas gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, KLSH, institucion që ngriti dyshime për dëme financiare në Buxhetin e Shtetit në vlerën e rreth 33 milion lekëve, lidhur me abuzimin me tenderat.
Ish-kryebashkiaku u dorëhoq nga detyra nga ligji i Dekriminalizimit, pasi u konstatua se kishte qenë i dënuar në Itali, fakt që nuk ishte deklaruar pranë institucioneve përkatëse. Detyrën e kryetarit të Bashkisë së Kavajës, e ushtroi nga 2011-ta e deri në vitin 2016.
Ndërkohë, Elvis Roshi po hetohet edhe për vepra penale që lidhen me krime zgjedhore, në kuadër të parlamentareve të 11 majit 2025. Dyshohet për përfshirje në blerje votash, në mbështetje të kushëririt të tij, Elton Roshi, kandidat i koalicionit opozitar “PD-ASHM”.
Në kuadër të këtij hetimi, SPAK-u ka ushtruar kontrolle në disa banesa dhe ambiente private, përfshirë pronat e Elvis Roshit, ku janë sekuestruar telefona celularë, fatura, kuponë karburanti, si edhe lista me të dhëna të votuesve.