Krimet zgjedhore, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, Policia e Shtetit ushtroi kontrolle në Kavajë ndaj pesë të dyshuarve për korrupsion aktiv në zgjedhje, mes tyre ish-kryebashkiaku Elvis Rroshi. Krahas bllokimit të telefonit celular, në një ambient në pronësi të tij u gjetën dhe u sekuestruan fatura, kupona nafte e lista zgjedhësish, sipas njoftimit zyrtar të uniformave blu.
Njoftimi zyrtar i Policisë së Shtetit:
Operacion në kuadër të hetimeve për krime zgjedhore, kontroll fizik dhe në banesat e 5 shtetasve të dyshuar. Sekuestrohen fatura, kupona nafte, lista zgjedhësish, DVR, pistoletë manovër e 5 telefona celularë.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me oficerët e BKH-së, në funksion të procedimit penal nr. 82, i vitit 2025, ekzekutuan vendimin e datës 17.05.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për kontrollin fizik dhe atë në banesat e 5 shtetasve.
Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj shtetasit E.Rr., 50 vjeç, banues në Kavajë, iu bllokua telefoni celular, si dhe në një ambient në pronësi të tij u gjetën dhe u sekuestruan fatura, kupona nafte dhe lista zgjedhësish.
Shtetasve O.S., 38 vjeç, T.Rr., 44 vjeç, të dy banues në Kavajë dhe shtetasit T. H., 35 vjeç, banues në Qerret, Durrës, Policia u sekuestroi telefonat celularë. Ndërsa shtetasit M.S., 37 vjeç, banues në Kavajë, Policia i sekuestroi një DVR, kupona nafte dhe një pistoletë manovër. Këta shtetas dyshohen për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe hetimet në kuadër të procedimit penal vijojnë.