Aktualitet

SPAK-u i kontrolloi banesën, Xhovana Nikolli: Shtet ordiner!

Xhovana Nikolli reagoi pas kontrollit që me urdhër të SPAK-ut u ushtruan një ditë më parë në banesën ku modelja jeton me motrën e saj në Elbasan. Sipas saj, iu janë sekuestruar sende private, pa urdhër gjykate dhe shprehet e irrituar që Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar telefonin e prindërve të saj.

Nuk e di dmth, po të vin kontroll në shtëpi, të shkatërrohet banesa… të ushtrohet presion dhe të sekuestrohen sende private pa urdhër të Gjykatës veç këtë shtet ordiner kam parë. Përveç kësaj të ikin nga shtëpia e prindërve që s’kanë lidhje, t’i sekuestrohen nënës e babait pa pikë lidhje… mundësisht tu shku në SPAK pothuajse çdo ditë duke u pyetur e duke ushtruar presion psikologjik mbi mua, shkroi Xhoavana Nikolli në një postim në Insta Story.

Kontrollet u ushtruan me urdhër të prokurores Doloreza Musabelli. Çështja për ngjarjen që ndodhi korrikun e vitit të kaluar i kaloi SPAK-ut, për shkak se motrat Nikolli akuzuan Nuredin Dumanin, bashkëpunëtor i drejtësisë, si autor.

Dy vajzat nga Lezha kishin dy muaj që banonin në Elbasan në apartamentin ku dhe ndodhi shpërthimi i një sasie eksplozivi, me pasojë vdekjen e fqinjit të tyre, Enea Thomaraj, 29 vjeç.

Xhovana Nikolli njihet si partnerja e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Amarildo Xhanej, i cili u dënua nga Gjykata e Posaçme me 2 vite e 9 muaj burg për veprën penale “Armëmbajtje pa leje, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.