Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) shpalli pretencën për Jurgis Cyrbjan. Në seancën e sotme, SPAK kërkoi që ish-deputeti socialist të dënohet me 3 vite burg për korrupsion në zgjedhjet e vitit 2021, si dhe për nxjerrje të sekretit shtetëror.
Por, për shkak të gjykimit të shkurtuar atij i ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht, SPAK-u kërkon dënimin e tij me 2 vite heqje lirie.
Ndërkohë, sa i përket të dyshuarve të tjerë, për A.H-në, i akuzuar për korrupsion në zgjedhje dhe tregim sekreti shtetëror, SPAK ka kërkuar 3 vite burg, që për shkak të dënimit të shkurtuar, shkon në 2 vite dënim.
Ndërkohë, për A.M-në, i akuzuar për tregim të sekretit shtetëror dhe përkrahje të autorit të krimit, SPAK ka kërkuar 2 vite e 6 muaj, që ulet në 1 vit e 8 muaj burg, gjithashtu për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Hetimi për ish-deputetin nisi pas zbardhjes së komunikimeve në aplikacionin Sky ECC ku u gjetën biseda të tij me A.H-në, që ishte një person në kërkim. SPAK thotë se Çyrbja ka marrë mbështetje elektorale nga A.H, një person me precedent penal dhe lidhje shoqërore me të, për t’u zgjedhur deputet.
Në këmbim të kësaj mbështetjeje, ai i ka premtuar Hajrit ndikim në polici dhe prokurori. Komunikimet, sipas hetuesve, kanë treguar se në 8 raste kanë siguruar nga punonjës të policisë informacione në sistemin TIMS e të dhëna për operacione policore.
Për herë të parë në këtë dosje u përdorën edhe komunikimet e zbardhura në një tjetër aplikacion të koduar, Matrix.