Aktualitet

SPAK-u kërkon 6 vite e 8 muaj burg për Evis Berberin, nga 1 vit për Gjylin e Elezin!

SPAK-u sot dha pretencën përfundimtare për një nga dosjet që lidhen me shkeljen e barazisë në tendera dhe ankande publike, të kryera në bashkëpunim në disa procedura prokurimi. Çështja po shqyrtohet me gjykim të shkurtuar.

Për ish-drejtorin e Autoriteti Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin me 10 vite burg, për akuzat: shkelje e barazisë në tendera (5 episode), korrupsion pasiv (6 episode), pastrim parash (1 episod).

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, nëse gjykata shpall fajësinë, dënimi i kërkuar ulet me një të tretën, duke zbritur në rreth 6 vite e 8 muaj burg.

Për Gentian Gjylin, po ashtu ish-drejtor në ARRSH, Prokuroria e Posaçme kërkon 1.6 vite burg për shkelje të barazisë në tendera (2 episode), si dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.

Ndërkohë, për Erald Elezin, ish-drejtor i KESH-it, u kërkua dënimi me 1.6 vite burg për shkelje të barazisë në tendera, që ulet me një të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar, si dhe ndalimi për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Prokurori i SPAK-ut, Dritan Prenci, lexoi konkluzionet përfundimtare edhe për 20 të pandehur të tjerë në këtë dosje. Po ashtu, SPAK-u ka kërkuar konfiskimin e shumave të parave të sekuestruara në banesën e Evis Berberit.