Aktualitet

Spektakël ngjyrash! Tirana, Durrësi, Shijaku, Elbasani e Fieri ndezin dritat e ‘Pemës së Festave’ të fundvitit!

Dhjetori, muaji që shënon fundin e vitit kalendarik sjell një atmosferë festive në të gjithë botën ndërsa këtë mbrëmje në sheshin “Skënderbej” në Tiranë u ndezën dritat e pemës. Ka qenë kryebashkiakja e komanduar e Tiranës Anuela Ristani, e cila ka shtypur butonin për ndezjen e dritave.

Ndezja e dritave u shoqërua dhe nga zërat e qindra fëmijëve dhe të rinjve nga kori i shkollave të Tiranës, artistët e vegjël dhe grupet e baletit.

Sheshi Skënderbej dhe jo vetëm dominohet nga zbukurimet dhe pema simbolike në pritje të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Të pranishëm në shesh janë qindra qytetarë të cilët shijuan këtë moment magjik.

Edhe në Durrës Shijak, Elbasan e Fier dritat u ndezën nën ritmin e muzikës festive dhe këngëve të interpretuara nga fëmijët.

E ndërsa të gjitha qytete e vendit kanë organizuar një ndezje të dritave mjaft të bukur, këtë vit duhet ta pranojmë se qyteti që ka sjellë të realizuar idenë më bukur të festave… është Shkodra.

Pamjet i ka ndarë edhe kreu i qeverisë, Edi Rama, ku shihet se këtë vit kjo bashki ka dhënë një spektakël të vërtetë për qytetarët e saj që ishin mbledhur para bashkisë për të festuar dhe gëzuar me të vegjlit e tyre.