Aktualitet

Stadiumi “Selman Stërmasi”, investitorët duhet të paraqesin projektet deri më 24 janar!

Stadiumi i ri “Selman Stërmasi” do të jetë i Kategorisë 4 të UEFA-s, me një numër vendesh 14 mijë deri në 16 mijë, siç deklaroi Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, Adelina Greca ndërsa ndau specifikat për investitorët që duhet të paraqesin projektet e tyre.

Faza e parë për të marrë pjesë për ketë projekt do të jetë e hapur deri më 24 janar. Investitorët që duhet të paraqesin projektet e tyre zhvillimore për stadiumin dhe hapësirat përreth duhet të jenë arkitektë e sipërmarrës. Stadiumi “Selman Stërmasi” do të zhvillohet tërësisht dhe do të ndërtohet nga e para përmes një gare të hapur.

Lajmi është bërë i ditur në një aktivitet për zhvillimin e pronave publike nga sipërmarrësit privatë përmes Korporatës Shqiptare të Investimeve. Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, Adelina Greca, bëri të ditur se tashmë shpallja për fazën e parë për të marrë pjesë në këtë projekt është e hapur deri më 24 Janar.

Sipas saj, investitorët që duhet të paraqesin projektet e tyre për zhvillimin e stadiumit “Selman Stërmasi” dhe hapësirave përreth duhet të jenë arkitektë dhe sipërmarrës.

Territori është 60 mijë metër katrorë. Pjesë e këtij janë prona publike çka përbëjnë 50 mijë metra katrorë. Programi që ne synojmë të vendosim nëpërmjet ideve që do vijnë në konkurrim është në masën 120 mijë metra katrorë.

Thirrja për fazën e parë përfundon më 24 Janar. Do të ketë 5 skuadra të përzgjedhura që do të marrin edhe çmime. Tre prej tyre do të kenë mundësinë të konkurrojnë për të qenë fitues, tre skuadrat me projektet më të mira dhe në fund do kemi një fitues, ai që do të ketë ofertën më të përshtatshme ekonomike, u shpreh Greca./Monitor