Aktualitet

“Urat e reja për Shqipërinë 2030”, modele italiane e spanjolle për zhvillimin e pronës publike!

Në prezantimin e programit “Urat e reja për Shqipërinë 2030”, sot kryeministri Edi Rama u shpreh se “ky është prezantim i një faze të re të programit të zhvillimit të pronave publike, në funksion të përmirësimit të kushteve të administratës shtetërore, lidhur me hapësirat e punës dhe po ashtu në funksion të krijimit të partneriteteve që do të japin mundësi, që nga zhvillimi i pronave publike të përfitojë drejtpërdrejtë financiarisht edhe sektori publik”.

Besoj që të gjithë i keni parasysh ende sot e gjithë ditën skelete fabrikash apo ndërmarrjesh të vjetra që vijojnë të cënojnë peizazhin tonë dhe janë shëmbëlltyra të proceseve të shkuara të privatizimeve, të cilat në një pjesë të konsiderueshme nuk kanë sjellë asnjë rezultat tjetër përveç degradimit të mëtejshëm të këtyre aseteve, vuri në dukje Rama.

Ndërkohë që ne jemi sot këtu për të ndarë me ju një qasje tërësisht tjetër të bazuar në eksperiencat dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, nisur posaçërisht nga eksperiencat e Italisë e të Spanjës, të cilat prej shumë e shumë vitesh kanë ngritur struktura të ngjashme me strukturën e Korporatës Shqiptare të Investimeve ose siç e quajmë edhe ligjërisht Albanian Investment Corporation, struktura që janë pikërisht në dispozicion të sektorit publik dhe shërbejnë si ura shumë të fuqishme për ndërveprime e bashkëpunime komplekse me sektorin privat”.

“Urat e reja për Shqipërinë 2030” është një program i ri zhvillimi i pronave publike, për të ndërtuar  vepra të reja të infrastrukturës publike, administrative, turistike, kulturore e sociale përmes partneriteteve me sipërmarrjen private.

Në aktivitetin e zhvilluar në Tiranë, po ashtu morën pjesë kryebashkiaku Erion Veliaj, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja e Drejtoresha Ekzekutive e “Albanian Investment Corporation”, Elira Kokona.  Veliaj u shpreh:

Më 5 shkurt, presim në Tiranë disa nga qytetet kryesore të botës dhe shumica kanë kërkuar të shohin stadiumin si koncept për të zhvilluar pronën. Në rast se 45% e çdo ndërtese në Vjenë është pronë publike dhe 35% e çdo ndërtese në Berlin është pronë publike, ne kaluam në një histeri kolektive privatizimi duke i lënë mënjanë të gjitha asetet publike.

Sot po shohim shtetin sipërmarrës, shteti nuk pret si inferior, shteti merr iniciativën duke ftuar sipërmarrjen për të maksimizuar asetet. Edhe investimet tek Pazari i Ri kanë rritur 3 deri 4 herë vlerën e pronës e të ekonomisë së zonës.