Stilistja dhe ikona e stilit Rachel Zoe ka prezantuar publikisht unazën e saj të re të quajtur divorce ring, një krijim luksoz me tre diamante të mëdhenj, të dizajnuar posaçërisht pas ndarjes nga bashkëshorti i saj prej vitesh, Rodger Berman. Unaza përbëhet nga një diamant oval dominues në qendër, i shoqëruar nga dy diamante anësore në të njëjtën formë, dhe është realizuar në bashkëpunim me Ring Concierge.
Rachel Zoe e ka ndarë për herë të parë këtë bizhuteri në rrjetet sociale, duke e përshkruar si unazën e ëndrrave të saj pas divorcit, duke e mbajtur në gishtin tregues si një simbol force dhe rilindjeje personale.
Rachel paraqiti kërkesën për divorc në korrik 2025, rreth dhjetë muaj pasi çifti kishte njoftuar ndarjen. Marrëdhënia e tyre kishte zgjatur mbi tre dekada dhe ishte konsideruar një nga bashkëpunimet më të qëndrueshme në botën e modës dhe biznesit.
Ky trend i quajtur ‘divorce ring’ po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet në botën e showbiz-it. Edhe modele të njohura si Emily Ratajkowski dhe Brooks Nader kanë zgjedhur të rikonceptojnë ose të zëvendësojnë unazat e fejesës me bizhuteri të reja, që simbolizojnë pavarësinë dhe një fillim të ri pas ndarjes.
Në rastin e Emily Ratajkowski-t, gurët e unazës së fejesës u ndanë dhe u shndërruan në dy unaza të veçanta, duke reflektuar ndarjen, por edhe forcën personale. Ideja, sipas bizutierëve që qëndrojnë pas këtyre krijimeve, është që fundi i një marrëdhënieje të mos shihet si humbje, por si një moment vetëvlerësimi dhe afirmimi.