Lifestyle

Studim/Aktiviteti njerëzor po sjell stinë të reja!

Klima ka ndryshuar dhe vitet e fundit, verat janë më të gjata dhe të nxehta, dimrat më të butë, ndërsa pranvera dhe vjeshta janë çrregulluar plotësisht. Studimi i fundit i publikuar në “Progress in Environmental Geography”, thekson se nuk po përballemi thjesht me ndryshime, por me lindjen e stinëve të reja të krijuara si pasojë e aktiviteteve të njeriut. Autorët propozojnë terma të rinj për të përshkruar këtë epokë të çuditshme klimatike. Sipas tyre e para janë stinët sinkopike; verat po bëhen më të nxehta, dimrat po bëhen më të butë dhe ngjarjet ekstreme po bëhen më të shpeshta.

E dyta; stinët aritmike, ato që dikur ishin të parashikueshme por që tani vijnë më herët ose më vonë, si për shembull pranvera që vjen gjithnjë e më herët duke çrregulluar ekosistemet. Së fundmi, ka stinë që tani janë zhdukur, të paktën në nivel lokal. Ne kalojmë nga i ftohti në të nxehtë (dhe anasjelltas) pa ndërprerje, duke i detyruar, për shembull, kafshët migratore të ndryshojnë ritmet e tyre. Sipas studimit, problemi nuk kufizohet vetëm te stinët që i njohim tashmë, të cilat po ndryshojnë në mënyrë dramatike.

Antropoceni (termi Antropocen përshkruan një periudhë në historinë e Tokës në të cilën aktivitetet njerëzore kanë ndryshuar në mënyrë drastike karakteristikat fizike, kimike dhe biologjike të planetit, me referencë të veçantë rritjen e përqendrimeve të gazrave serrë në atmosferë) ka krijuar stinët e reja, me origjinë njerëzore. Autorët përmendin shembullin e “stinës së mjegullës” (ose sezonit të mjegullës) në Azinë Juglindore, midis korrikut dhe tetorit, hektarë bimësi digjen për t’i hapur rrugë fushave; kjo e mbush qiellin me tym dhe lëndë grimcore për javë të tëra dhe është bërë një dukuri e rregullt vjetore. Një shembull tjetër i një sezoni artificial është sezoni i mbeturinave; midis nëntorit dhe marsit, baticat sjellin rreth 60 ton plastikë në Bali çdo ditë, të mbledhur nga deti dhe të depozituar në plazhet e ishullit.