Food & Drink Health & Beauty

Studim i trishtë/ Shumë prej ushqimeve tuaja të preferuara ndikojnë në zhvillimin e demencës?

Një studim afatgjatë 15-vjeçar ka zbuluar se konsumimi i tepërt i mishit të kuq dhe të përpunuar, si dhe pijeve të gazuara me sheqer, rrit rrezikun e demencës dhe sëmundjeve të tjera kronike.

Studiuesit ndoqën gati 2,500 të moshuar dhe vunë re se ata që kishin dieta të varfra ushqimore zhvillonin më shpejt probleme me trurin dhe zemrën krahasuar me bashkëmoshatarët që ushqeheshin shëndetshëm.

Në të kundërt, pjesëmarrësit që ndoqën një dietë mesdhetare – të pasur me fruta, perime, drithëra integrale, arra, bishtajore dhe yndyrna të shëndetshme – rezultuan me më pak sëmundje kronike.

Studimi, i botuar në revistën “Nature Aging”, u bazua te pjesëmarrësit e Studimit Kombëtar Suedez mbi Plakjen dhe Kujdesin në Kungsholmen (SNAC–K), me moshë mesatare 71 vjeç në fillim të kërkimit.

Ata u monitoruan deri në 15 vjet, ndërsa cilësia e dietës u vlerësua përmes pyetësorëve ushqimorë.

Shkencëtarët analizuan disa modele të njohura të të ushqyerit, përfshirë dietën mesdhetare, dietën MIND – e fokusuar në mbrojtjen e trurit – dhe indeksin AHEI, i cili shpërblen ushqimet e shëndetshme si frutat, perimet dhe arrat, duke penalizuar mishin e kuq, ushqimet e përpunuara dhe pijet me sheqer.

Të gjitha këto dieta rezultuan të lidhura me ngadalësimin e përparimit të sëmundjeve.

Në të kundërt, një dietë e pasur me mish të kuq, produkte të përpunuara dhe pije me gaz, e matur me Indeksin Empirik Dietik Inflamator (EDII), lidhej me rritje më të shpejtë të problemeve shëndetësore.

Ekspertët theksojnë se njerëzit me ushqyerje më të shëndetshme kishin mesatarisht dy deri në tre sëmundje kronike më pak, duke përfshirë sëmundjet e zemrës, demencën, depresionin, diabetin, kancerin dhe osteoporozën, krahasuar me ata që kishin dietat më pak të mira.

Studimi vërteton edhe një herë se zgjedhjet ushqimore kanë ndikim të madh në cilësinë e jetës dhe shëndetin afatgjatë.