Pothuajse të gjitha efektet anësore që përmenden për statinat nuk shkaktohen nga vetë këto ilaçe, sipas rishikimit më të gjerë shkencor të bërë ndonjëherë mbi këtë temë. Përveç rreziqeve të njohura për dhimbje muskulore dhe diabet, vetëm katër nga 66 efektet e tjera anësore të listuara në fletë-udhëzimet e barnave mbështeten nga prova shkencore. Këto janë ndryshimet në analizat e mëlçisë, disa anomali të lehta të mëlçisë, ndryshime në urinë dhe ënjtje e indeve. Edhe këto rreziqe, sipas studiuesve, janë shumë të vogla.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore The Lancet, është një rishikim sistematik dhe meta-analizë dhe përbën vlerësimin më gjithëpërfshirës deri më sot të provave për efektet anësore të statinave. Ai përfshiu 19 prova të kontrolluara të rastësishme me gjithsej 124 mijë pjesëmarrës, të ndjekur mesatarisht për katër vjet e gjysmë.
Statinat janë përdorur nga qindra miliona njerëz në mbarë botën gjatë tre dekadave të fundit dhe është vërtetuar se ulin rrezikun e infarktit, goditjes në tru dhe vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare. Megjithatë, miliona njerëz janë trembur nga përdorimi i tyre për shkak të shqetësimeve për sigurinë, ndërsa etiketat e barnave listojnë dhjetëra efekte të mundshme anësore.
Nga 66 efektet anësore të listuara aktualisht në paketimet e produkteve, studiuesit nuk gjetën prova të forta që statinat të shkaktojnë 62 prej tyre, përfshirë probleme me kujtesën, depresion, çrregullime të gjumit dhe dëmtime të nervave që çojnë në ndjesi shpimi gjilpërash në duar dhe këmbë. Rezultatet treguan se rreziku i shumicës së këtyre efekteve të listuara është minimal dhe se përfitimet i tejkalojnë shumë dëmet e mundshme. Si rrjedhojë, autorët e studimit thonë se etiketat e barnave duhet të përditësohen për të pasqyruar më mirë provat shkencore, në mënyrë që pacientët dhe mjekët të mund të marrin vendime më të informuara për përdorimin e statinave.