Food & Drink Health & Beauty Lifestyle

Mos i injoroni këto shenja! Mund të sinjalizojnë sëmundje serioze inflamatore të zorrëve?

Problemet me tretjen shpesh konsiderohen si pasojë e stresit, ushqimit ose një shqetësimi të përkohshëm. Megjithatë, kur simptomat përsëriten vazhdimisht, ato mund të jenë shenjë e sëmundjeve kronike inflamatore të zorrëve, si sëmundja e Crohn ose koliti ulceroz.

Këto sëmundje zhvillohen gradualisht dhe jo gjithmonë japin shenja të forta në fazat e para. Përveç sistemit tretës, inflamacioni mund të ndikojë edhe në organe të tjera të trupit, duke shkaktuar një sërë simptomash që shpesh neglizhohen.

Një nga shenjat më të zakonshme është lodhja e vazhdueshme, e cila nuk largohet as pas gjumit apo pushimit. Kjo lidhet me inflamacionin kronik, por edhe me përthithjen e dobët të lëndëve ushqyese dhe zhvillimin e anemisë.

Ekspertët paralajmërojnë se humbja e pashpjegueshme në peshë dhe rënia e oreksit janë gjithashtu sinjale që nuk duhen anashkaluar. Dhimbjet e barkut, fryrja, shqetësimet pas ngrënies dhe problemet e vazhdueshme me tretjen mund të bëjnë që personi të hajë më pak, duke ndikuar më tej në gjendjen e përgjithshme shëndetësore.

Një temperaturë e lehtë, por e vazhdueshme, pa një shkak të dukshëm, mund të jetë një tjetër tregues i inflamacionit aktiv në organizëm. Në disa raste shfaqen edhe simptoma të anemisë, si zbehje e lëkurës, dobësi e theksuar dhe gulçim gjatë aktivitetit fizik.

Sëmundjet inflamatore të zorrëve nuk kufizohen vetëm te aparati tretës. Ato mund të shkaktojnë dhimbje dhe inflamacion të kyçeve, sidomos në gjunjë dhe kyçet e këmbëve, plagë të dhimbshme në gojë, ndryshime në lëkurë, djersitje gjatë natës, si edhe probleme me sytë, përfshirë skuqjen, dhimbjen dhe ndjeshmërinë ndaj dritës.

Një rëndësi të veçantë kanë edhe ndryshimet në jashtëqitje. Nuk bëhet fjalë vetëm për diarrenë me gjak. Ndryshimet e vazhdueshme në frekuencë ose pamje, prania e mukusit, si edhe nevoja urgjente për të shkuar në tualet që ndikon në aktivitetet e përditshme, mund të jenë shenja paralajmëruese.

Mjekët theksojnë se problemet e përsëritura të tretjes nuk duhet të konsiderohen normale apo të injorohen për një kohë të gjatë.
Njohja e hershme e simptomave dhe konsultimi me një gastroenterolog mund të ndihmojnë në diagnostikimin e hershëm të sëmundjes, trajtimin më efektiv dhe parandalimin e komplikimeve afatgjata.