Nëse mezi i hapni sytë në mëngjes dhe filxhani i kafesë është e vetmja gjë që ju mban në këmbë deri në drekë, ekspertët thonë se problemi mund të mos jetë mungesa e kafeinës, por disa zakone të përditshme që ndikojnë në nivelin e energjisë.
Sipas një artikulli të publikuar nga “Parade”, mbështetja e vazhdueshme te kafeja apo pijet energjike mund të maskojë probleme më serioze, si mungesa e vitaminave dhe mineraleve, anemia, çrregullimet e gjëndrës tiroide ose apneja e gjumit. Megjithatë, në shumë raste, lodhja lidhet me stilin e jetesës dhe rutinën e përditshme.
Mjekët e mjekësisë funksionale theksojnë se energjia nuk fillon në momentin kur bie alarmi i telefonit, por një natë më parë.
Dr. Sunjya Schweig, themelues i “California Center for Functional Medicine”, shpjegon se cilësia e gjumit, orari i fjetjes, niveli i stresit, hidratimi, konsumimi i alkoolit dhe koha kur pini kafe ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si ndiheni kur zgjoheni.
Energjia në mëngjes nuk varet vetëm nga ajo që bëni pasi bie alarmi. Ajo ndikohet nga cilësia e gjumit, stabiliteti i sheqerit në gjak, niveli i stresit dhe fakti nëse trupi ka kaluar normalisht nëpër fazat e gjumit
-thotë ai.
Edhe fiziologu i performancës Dr. Mark Kovacs thekson se një orar i rregullt i gjumit është po aq i rëndësishëm sa edhe numri i orëve që flini.
Të flesh dhe të zgjohesh në orare të ndryshme gjatë javës krijon një lloj ‘jet lag-u social’, edhe nëse fle mjaftueshëm
-shpjegon ai.
Pesë zakonet që ju japin më shumë energji në mëngjes:
1. Pini ujë sapo të zgjoheni
Ekspertët e konsiderojnë hidratimin si hapin më të rëndësishëm të mëngjesit. Gjatë natës trupi kalon disa orë pa marrë lëngje dhe edhe dehidratimi i lehtë mund të ndikojë në energji, humor dhe përqendrim.
Dr. Jeffrey Bland rekomandon të pini rreth 500 ml ujë menjëherë pasi zgjoheni.
Edhe dehidratimi i lehtë mund të ulë energjinë, të shkaktojë dhimbje koke, marramendje dhe vështirësi në përqendrim
-shpjegon Dr. Schweig.
2. Dilni në dritën e mëngjesit
Një shëtitje e shkurtër jashtë mund të bëjë më shumë sesa mendoni. Drita natyrale ndihmon në rregullimin e ritmit cirkadian, ul prodhimin e melatoninës dhe i jep trurit sinjalin se dita ka filluar.
Drita e mëngjesit është një nga mënyrat më të fuqishme për të rritur vigjilencën dhe energjinë
-thotë Dr. Schweig.
3. Lëvizni trupin
Nuk është e nevojshme një stërvitje intensive. Disa ushtrime të lehta shtrirjeje ose një ecje e shkurtër janë të mjaftueshme për të përmirësuar qarkullimin e gjakut dhe për ta ndihmuar organizmin të kalojë nga gjendja e gjumit në atë të zgjimit.
Sipas ekspertëve, aktiviteti fizik në mëngjes është më efektiv kur kombinohet me ekspozimin ndaj dritës natyrale.
4. Mos e anashkaloni mëngjesin
Një vakt i balancuar me proteina, fibra, yndyrna të shëndetshme dhe karbohidrate komplekse ndihmon në mbajtjen e energjisë të qëndrueshme gjatë ditës.
Proteinat, frutat, tërshëra, buka integrale, avokado, arrat dhe farat janë ndër zgjedhjet më të rekomanduara.
Nga ana tjetër, mëngjeset me shumë sheqer ose karbohidrate të rafinuara mund të japin energji vetëm për një kohë të shkurtër, duke shkaktuar më pas rënie të menjëhershme të saj.
5. Prisni pak para se të pini kafen
Edhe pse shumë njerëz e nisin ditën me një filxhan kafe, ekspertët rekomandojnë të prisni 30 deri në 90 minuta pas zgjimit.
Sipas Dr. Mark Kovacs, kjo i jep trupit kohë të zgjohet natyrshëm, ndërsa Dr. Schweig shpjegon se në orët e para të mëngjesit niveli i kortizolit është tashmë i lartë.
Nëse shtoni kafeinë menjëherë mbi këtë rritje natyrale, disa persona mund të ndihen më nervozë ose më të stresuar
-thotë ai.
Ekspertët këshillojnë gjithashtu që përpara filxhanit të parë të kafesë të pini gjithmonë një gotë ujë.
Nëse, pavarësisht ndryshimit të këtyre zakoneve, vazhdoni të ndiheni të lodhur çdo ditë, mjekët rekomandojnë të konsultoheni me një profesionist shëndetësor, pasi lodhja kronike mund të jetë shenjë e një problemi shëndetësor që kërkon diagnostikim dhe trajtim.