Nëse ndiheni ndonjëherë pak të mërzitur dhe të vetmuar sepse jeni beqarë, pa dikë krah vetes, ky artikull do ju bëjë që të mendoheni edhe një herë. Sepse në fakt beqaria mund të jetë çelësi për një shëndet më të mirë.
Një studim i kryer nga kërkuesit e Universitetit Shtetëror të Floridës ka rishikuar të dhënat dhe ka gjetur se të jesh beqar/ pa një partner mund të ndihmojë në parandalimin e demencës dhe mbrojtjen e shëndetit të trurit.
Në vitin 2019, një studim sugjeronte se njerëzit e pamartuar kishin më shumë rrezik për të zhvilluar demencë krahasuar me të martuarit. Por, studimi i ri ndoqi më shumë se 24,000 amerikanë të moshuar (mesatarisht 72 vjeç), të cilët në fillim nuk kishin demencë, për 18 vjet me radhë.
Ata u ndanë në katër grupe: të martuar, të divorcuar, të ve, dhe beqarë. Çdo vit, pjesëmarrësit iu nënshtruan testeve neuropsikologjike për të vlerësuar funksionin e tyre njohës dhe u ndoqën nga klinicistë.
Pas marrjes në konsideratë të faktorëve të ndryshëm si pirja e duhanit, gjinia, raca dhe sëmundjet mendore ekzistuese, rezultoi se më pak rrezik për t’u prekur nga demenca, veçanërisht nga Alzheimer-i kishin të divorcuarit dhe ata që kurrë nuk ishin martuar. Rreziku i tyre ishte të paktën 50 për qind më i ulët se tek të tjerët.
Gjithashtu, demenca tek këto dy grupe ishte më pak progresive. Një dallim i vogël u vu re mes meshkujve dhe femrave, ku meshkujt beqarë kishin një rrezik edhe më të ulët sesa femrat në të njëjtën kategori.
Një përjashtim nga kjo tendencë ishin lloje të rralla të demencës, siç është demenca vaskulare.
“Personat që kurrë nuk janë martuar kanë më shumë mundësi të socializohen me miqtë e fqinjët dhe praktikojnë zakone më të shëndetshme në krahasim me të martuarit. Të martuarit zakonisht kanë më pak integrim social dhe ndërveprime më të rralla e me cilësi më të ulët në rrjetet e tyre sociale në krahasim me të pamartuarit. Këto aspekte pozitive të mirëqenies dhe lidhjeve sociale mund të jenë faktorë mbrojtës kundër demencës me kalimin e kohës”, tha Selin Karakose, drejtuesja e studimit