Food & Drink Health & Beauty

Studimi i ri rrëzon mitin për vezët dhe kolesterolin!

Një studim i ri po ndryshon ndjeshëm atë që besohej prej vitesh për lidhjen mes vezëve dhe kolesterolit. Ideja e përhapur se konsumimi i përditshëm i vezëve rrit kolesterolin në gjak po vihet seriozisht në dyshim nga kërkime të fundit shkencore.

Sipas ekspertëve të Harvard Health, vezët mund të mos kontribuojnë në rritjen e kolesterolit LDL, i njohur si kolesteroli i keq, ashtu siç mendohej më parë. Studimi, i publikuar në korrik 2025 në The American Journal of Clinical Nutrition, thekson se faktori kryesor që ndikon në rritjen e LDL nuk është kolesteroli nga ushqimi, por sasia e yndyrave të ngopura në dietë.

Në kuadër të studimit u përfshinë 48 të rritur me nivele të larta të kolesterolit LDL, të cilët ndoqën tre dieta të ndryshme për periudha pesëjavore. Dieta e parë përfshinte kolesterol të lartë, por pak yndyra të ngopura dhe dy vezë në ditë. Dieta e dytë ishte me kolesterol të ulët, por me yndyra të larta të ngopura dhe pa vezë. Dieta e tretë kombinonte kolesterol dhe yndyra të ngopura të larta, duke përfshirë një vezë në ditë.

Rezultatet treguan qartë se rritja e kolesterolit të keq ishte e lidhur ngushtë me konsumin e yndyrave të ngopura dhe jo me kolesterolin që vjen nga vezët. Madje, pjesëmarrësit që konsumuan dy vezë në ditë panë një ulje të nivelit të LDL, për sa kohë dieta e tyre ishte e varfër në yndyra të ngopura.

Studimi thekson se yndyrat që rrisin LDL gjenden kryesisht në mishin e kuq si viçi, qengji dhe derri, si dhe në mishrat e përpunuar. Po ashtu, produkte si gjalpi, djathi, akullorja dhe vajrat tropikalë si vaji i palmës janë burime të rëndësishme të yndyrave të ngopura.