Reshjet e dendura të shiut gjatë orëve të paradites dhe drekës kanë sjelle dhe largimin e pushuesve plazhet e Velipojës dhe Shëngjinit.
Largimi i pushuesve ka sjellë trafik të rënduar në akset kryesore dhe rrugët dytësore të qarkut Lezhë.
Korrespondentja e Top Channel në Lezhë Brixhilda Deda bën me dije se prej më shumë se dy orësh, qarkullimi në aksin Shkodër–Lezhë dhe Lezhë–Milot është ngadalësuar ndjeshëm për shkak të fluksit të automjeteve.
Vështirësi të shumta janë hasur edhe në daljen nga Shëngjini, ku drejtuesit e mjeteve kanë mbetur të bllokuar në radhë të gjata.
Situata ka rënduar edhe rrugët dytësore, të cilat nuk kanë përballuar dot volumin e shtuar të mjeteve. Për të lehtësuar lëvizjen, në akset kryesore dhe në kryqëzimet problematike janë vendosur punonjës të policisë rrugore.
Edhe pse reshjet kanë pushuar, fluksi i lëvizjes së automjeteve vijon të mbetet i lartë.
Moti i keq edhe në Shkodër, por nuk pati problematika me përmbytjet
Një stuhi e shoqëruar me erë të fortë dhe reshje të shumta shiu përfshiu Shkodrën, por fatmirësisht nuk shkaktoi probleme në qytet.
Pamjet nga rrugët kryesore tregojnë një situatë ndryshe nga vetëm një vit më parë, kur çdo shi sillte përmbytje për shkak të mosfunksionimit të kolektorëve.
Falë ndërhyrjeve të kryera nga Bashkia Shkodër dhe ndërmarrja “Ujësjellës-Kanalizime”, rrjeti i kanalizimeve është përmirësuar ndjeshëm, duke shmangur përmbytjet dhe duke lehtësuar qarkullimin normal në qytet.
Gjatë ditës së sotme, punonjësit e Ujësjellësit kanë qenë në gadishmëri së bashku me strukturat e Bashkisë Shkodër, për të monitoruar situatën dhe për të ndërhyrë në kohë në rast nevoje.
Bashkia Shkodër falënderon punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve dhe të “Ujësjellës-Kanalizime” për angazhimin e tyre, si edhe banorët për mirëkuptimin gjatë punimeve për kolektorët, një proces që vazhdon ende për të garantuar një qytet më të sigurt dhe pa probleme nga përmbytjet.