Kryegjyshi Botëror i bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj (Baba Mondi) mbajti një fjalë në mjediset e Kryegjyshatës, për Ditën e Sulltan Nevruzit. Kleriku i lartë theksoi rëndësinë e reflektimit mbi virtytet që udhëheqin komunitetin, forcimin e lidhjes me Zotin dhe kultivimin e dashurisë dhe respektit ndaj njëri-tjetrit.
Ndër të tjera, vuri në dukje se ky vit ka domethënie të veçantë, pasi përkon me 35-vjetorin e rihapjes së Kryegjyshatës dhe lirisë së besimit Bektashi, një moment historik që shënon ringjalljen e besimit dhe traditës shpirtërore pas periudhave të vështira.
Të nderuar klerikë bektashi, përfaqësues dhe përfaqësi diplomatike të vendit tonë, sot jemi mbledhur për të kremtuar Sulltan Nevruzin, një festë e shenjtë që simbolizon fillimin e ri, dritën shpirtërorë dhe unitetin e bektashinjve.
Kjo ditë është një mundësi për të reflektuar mbi virtytet që na udhëheqin, për të forcuar lidhjen tonë me Zotin, për të kultivuar dashurinë dhe respektin ndaj njëri-tjetrit. Ky vit ka një domethënie të veçantë për Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, pasi përkon me 35 vjetorin e rihapjes së Kryegjyshatës e lirisë së besimit Bektashi.
Një moment historik që shënon ringjalljen e besimit dhe traditës sonë shpirtërore pas periudhave të vështira. Kjo ngjarje është dëshmi e qëndrueshmërisë dhe punës së përbashkët të brezave, për të ruajtur identitetin dhe vlerat tona. Siç thoshte Haxhi Bektash Veliu: “Ai që nuk e sheh veten në tjetrin, nuk e sheh Zotin në veten e tij”, u shpreh Kryegjyshi Botëror i bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.