Aktualitet

Sot dita e Sulltan Nevruzit, ditëlindja e të madhit Imam Aliu!

Besimtarët bektashianë sot festojnë Ditën e Sulltan Nevruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu në Qabe, ku çdo gjë ringjallërohet, lind shpresa e ringjallja për njerëzimin. Një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë.

Kryeministri Edi Rama uroi qytetarët duke ndarë pamje nga Teqeja e Helvetive në Berat, e njohur për vlerat historike dhe shpirtërore.

Mirëmëngjes dhe me urimin për Ditën e Sulltan Nevruzit nga Teqeja e Helvetive, në Berat ndër më të bukurat në Ballkan, ku qetësia dhe harmonia janë besim, ju uroj një të diel të paqtë, shkruan Rama.

Fjala “Nevruz” do të thotë “Dita e re” (nga persishtja) dhe Sulltan, është titull i lartë. Në Shqipëri, filloi të festohej që kur u përhap bektashizmi në shekullin XIV. Dita e Sulltan Nevruzit përkon me ditën e lindjes së Imam Aliut.

Për këtë festë, poeti ynë Naim Frashëri shkruante:

Sot është një ditë e re që përsëritet moti, lind Vera, lind ngrohtësia, lind Aliu, lind vet Zoti.

Imam Aliu ishte dhëndri i Profetit Muhamed. I lindur më 22 mars, ishte i pari i 12 imamëve, i shquar për dituri të jashtëzakonshme. Profeti Muhamed shprehej:

Unë jam qyteti i diturisë dhe Aliu është porta e tij. Nuk ka trim si Aliu, nuk ka shpatë tjetër si Zylfikari Aliut. Kush do Alinë, më ka dashur mua, kush urren Alinë, më ka urryer mua.

Si festohet Sulltan Nevruzi?

Në këtë ditë feste, pihet një gotë qumësht, që simbolizon lindjen e një dite të re. Me këtë rast, bektashinjtë gatuajnë ushqimet karakteristike, që janë byreku me 12 lloj të ndryshme barishtesh,(spinaq, lëpjetë, majdanoz, fletë lakre, kopër, gjethe preshi, labot, qepë, oriz, etj). Bimët e tokës simbolizojnë jetën e re që çel në pranverë dhe begatinë.

Brenda në byrek futet një monedhë metalike. Pasi piqet, byreku ndahet në pjesë për anëtarët e familjes. Atij që i bie monedha, konsiderohet me fat e do të kalojë një vit të begatë e me mbarësi.

Gatuhet përshesh me pulë ose mish qengji. Sultiashi është ëmbëlsira karakteristike e kësaj dite, sepse përbëhet nga qumështi, simbol i qumështit të nënës, orizi që simbolizon drithërat, bollëkun dhe shërbeti që merret i kënduar në teqe. Gjithashtu, në disa raste gatuhet kabuni (me oriz, lëng mishi, sheqer, rrush të thatë e arra).