Bota

Sulm me armë në një shkollë të mesme në Turqi, të paktën 16 të plagosur!

Sulm i armatosur në një shkollë të mesme të Turqisë juglindore, të paktën 16 të plagosur. Një ish-nxënës hapi zjarr në mjediset shkollore, duke lënë të lënduar 16 vetë, para se të vriste veten. Një zyrtar turk raportoi:

Sulmuesi 18-vjeçar, i armatosur me një pushkë gjahu, qëlloi në një shkollë të mesme profesionale në Siverek të provincës Sanliurfa, përpara se të fshihej brenda ndërtesës. Më vonë ai vrau veten me të njëjtën pushkë gjahu, bëri të ditur guvernatori Hasan Sildak.

Një mësues që është mes të plagosurve, raportohet në gjendje kritike, sipas televizionit NTV.

Motivi mbetet i paqartë ndërsa të shtënat në shkolla janë episode të rralla në Turqi.

Njësitë e operacioneve speciale të policisë shkuan në vendngjarje pasi agresori refuzoi të dorëzohej, ndërsa i gjithë stafi dhe nxënësit u evakuuan, referuar mediave lokale.

Pamjet video treguan dhjetëra nxënës që vraponin nga shkolla drejt portës kryesore për të dalë në rrugë.