Lufta në Lindjen e Mesme midis Izraelit dhe Hamasit e që përfshin Libanin, Sirinë, Iranin dhe Jemenin ka arritur në ditën e 590-të. Trupi i Mohammed Sinwar-it, udhëheqës de facto i fondamentalistëve palestinezë pas vdekjes së vëllait të tij Yahya, u gjet në një tunel në Khan Younis, pranë Spitalit Europian, i cili u bombardua vazhdimisht nga IDF-ja pesë ditë më parë.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit kanë përshkallëzuar ofensivën në Gaza, duke vrarë mbi 125 persona në Rripin Jugor. Sipas Mbrojtjes Civile Palestineze, shumë prej tyre janë fëmijë. Gjatë natës, një raketë e lëshuar nga Jemeni u kap nga shteti hebraik.
Ndërkohë, Hamasi është rikthyer në tryezën e bisedimeve dhe sipas një burimi palestinez, ka rënë dakord të lirojë gjysmën e 20 pengjeve që ende mbahen në Rripin e Gazës e të kthejë një numër të caktuar trupash në këmbim të një armëpushimi të përkohshëm dy mujor, krahas rifillimit të menjëhershëm të dërgesave të ndihmave humanitare për popullatën.
Dyshohet se forcat izraelite goditën tendat që strehonin persona të zhvendosur, edhe pse këto raportime nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur. Ka raportime për sulme të shumta vdekjeprurëse në zona të ndryshme të enklavës bregdetare.
Dy ditë më parë, ushtria e Izraelit njoftoi se po intensifikonte presionin ndaj grupit islamist Hamas, i cili ende mban dhjetëra pengje. Autoritetet hebraike deklaruan se planet përfshijnë pushtimin dhe marrjen e kontrollit të territorit, së bashku me zhvendosjen e qindra mijëra civilëve nga veriu në jug të Rripit të Gazës.
Vëzhguesit janë të shqetësuar se ofensiva e re do të shkaktojë shumë më tepër vdekje në rripin bregdetar, ku njerëzit jetojnë në kushte katastrofike. Ushtria izraelite nuk ka lejuar dërgesat e ndihmave në Gazë për më shumë se dy muaj, duke akuzuar Hamasin për rishitjen e furnizimeve te popullsia gjithnjë e më e varfër e zonës.