Kryeministri britanik, Keir Starmer dënoi sulmet ruse në rrjetin energjetik të Ukrainës, madje duke mos u ndalur as për Krishtlindje.
Unë i bëj homazhe qëndresës së popullit ukrainas dhe udhëheqjes së presidentit Zelensky, përballë sulmeve të mëtejshme me dronë dhe raketa nga makineria luftarake e përgjakshme dhe brutale e Putinit, pa pushim, madje edhe për Krishtlindje. Ndërsa hyjmë në Vitin e Ri, mbetet jetike që ne të dyfishojmë vendosmërinë tonë për ta vendosur Ukrainën në pozicionin më të fortë të mundshëm dhe për t’i dhënë fund agresionit të paligjshëm të Rusisë kundër popullit ukrainas.
Dje presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky reagoi në X lidhur me sulmin.
Çdo sulm masiv rus kërkon kohë për t’u përgatitur. Nuk është kurrë një vendim spontan. Eshtë një zgjedhje e qëllimshme, jo vetëm e objektivave, por edhe e kohës dhe datave. Putin zgjodhi qëllimisht Krishtlindjet për një sulm. Çfarë mund të jetë më çnjerëzore?
Rusia lëshoi kundër Ukrainës mbi 70 raketa, duke përfshirë ato balistike e më shumë se 100 dronë sulmues. Lideri ukrainas akuzoi:
Objektivat janë infrastruktura jonë energjetike. Ata vazhdojnë të përpiqen për një ndërprerje të Ukrainës. Falënderoj të gjithë ata që punojnë për vendin, që janë në detyrë luftarake, që mbrojnë qiejt tanë. E keqja ruse nuk do ta thyejë Ukrainën dhe nuk do të shkatërrojë Krishtlindjen.
Të paktën tre persona u plagosën në rajonin verilindor të Harkivit, që u sulmua me raketa balistike ruse, siç raportuan autoritetet zyrtare. Që nga nisja e luftës, në muajin shkurt të vitit 2022, vazhdimisht, Rusia ka sulmuar sektorin e energjisë të Ukrainës, duke e dëmtuar rëndë rrjetin elektrik, si dhe duke shkaktuar ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike. Një sulm i ngjashëm ndodhi më 13 dhjetor, kur u përdorën më shumë se 90 raketa e 200 dronë.