Bota

Sulmet ruse, reduktime të mëdha të energjisë në Ukrainë!

Kievi dhe disa rajone ukrainase po përballen me mungesë të theksuar të energjisë, ndërsa ekipet po bëjnë përpjekje për të riparuar infrastrukturën e dëmtuar nga sulmet ajrore ruse. Reduktime të energjisë ka në shumicën e rajoneve, me 8 deri në 16 orë, siç bëri të ditur kompania ukrainase për energjinë Ukrenergo, duke deklaruar se situatë e njëjtë do të jetë për disa ditë.

Reduktimet janë pasojë e sulmeve masive ruse me dronë dhe raketa në infrastrukturën e energjisë. Eshtë e vështirë të kujtojmë se kur ka pasur kaq shumë sulme direkte në sektorin e energjisë prej nisjes së pushtimit, vuri në dukje zëdhënësja e kompanisë ukrainase të energjisë, Svitlana Hrynchuk.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha para popullit se “ekipet për riparim janë duke punuar pa pushim në të gjitha rajonet”.

Edhe pak muaj më parë në Ukrainë, Rusia e pati intensifikuar fushatën për të dëmtuar rrjetin e energjisë, objektet për magazinimin e gazit natyror, si dhe gazsjellësin, në përpjekje për t’i demoralizuar ukrainasit.

Ndërkohë, shefi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore, Rafael Grossi ka paralajmëruar për rrezikun e sulmeve ushtarake në centrale bërthamore.

Vazhdoj të bëj thirrje për përmbajtje maksimale ushtarake, që të garantojmë sigurinë bërthamore dhe t’i shmangim aksidentet me pasoja të mëdha radiologjike.

Grossi bëri të ditur se centrali më i madh bërthamor ukrainas që gjendet në Zaporizhja ka nisur sërish të ketë qasje në rrjetin e rezervave të energjisë, për herë të parë në gjashtë muaj. Centrali nën kontrollin rus është përballur me probleme të mëdha të energjisë, çka rrezikon ftohjen e ujit të domosdoshëm dhe punën e gjithë pompave.

Ministria ruse e Mbrojtjes, në anën tjetër, deklaroi se ka nisur “sulm masiv me saktësi të lartë”, me qëllim shënjestrimin e qendrave për prodhim të armëve dhe objektet e energjisë në Ukrainë. Kjo situatë ka çuar në ndalimin e punës së disa metrove në Ukrainë.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin e quan “operacion special ushtarak” për ta çmilitarizuar fqinjin. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë.