Një sulm ajror izraelit në Rripin e Gazës i ka lënë të vdekur të paktën tetë njerëz nga familja e njëjtë, thanë të martën zyrtarët shëndetësorë palestinezë.
Shumica e të vdekurve në këtë sulm janë gra dhe fëmijë, sipas tyre.
Sulmi ndodhi të hënën natën dhe e goditi një shtëpi në lagjen qendrore, Daraj, në qytetin Gaza, sipas shërbimit emergjent të Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.
Një baba me tre fëmijë dhe gjyshja e fëmijëve ishin në mesin e trupave të nxjerrë nga rrënjat, sipas Associated Press.
Ushtria izraelite ende nuk e ka komentuar këtë sulm.
Lufta e Izraelit në Gazë i ka lënë të vdekur mbi 45.000 palestinezë, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.
Ushtria izraelite ka thënë se i ka vrarë mbi 17.000 militantë, pa dhënë dëshmi për këtë.
Ndërkohë në fillim të këtij muaji Ushtria izraelite u ka bërë thirrje banorëve nga disa zona në jug të Rripit të Gazës që të evakuohen, duke paralajmëruar se Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – ka gjuajtur raketa nga ajo zonë.
Kjo është hera e parë në javët e fundit që Izraeli u bënë thirrje banorëve në jug të territorit palestinez të largohen nga jugu, pasi ushtria izraelite që nga muaji tetor e ka përqendruar fushatën ushtarake në veri të Gazës.
“Organizatat terroriste edhe një herë kanë gjuajtur raketa drejt shtetit të Izraelit nga zona juaj”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, në X, duke iu adresuar banorëve të zonës së Han Junisit.
“Për sigurinë tuaj, ju duhet të evakuoheni menjëherë nga zona dhe të zhvendoseni në zonën humanitare”, tha ai, duke publikuar hartën e zonës nga ku banorët janë urdhëruar që të evakuohen.
Lufta në Gazë filloi kur militantët e Hamasit e sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor 2023, ku i vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbyen afër 250 të tjerë.
Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.