Presidenti amerikan, Donald Trump, bëri të ditur se ndërroi jetë një nga dy anëtarët e Gardës Kombëtare, që të mërkurën u qëlluan me armë zjarri në afërsi të Shtëpisë së Bardhë.
Ajo u sulmua egërsisht dhe ka vdekur, shkroi Trump për 20 vjeçaren, e cila shërbente në Gardën Kombëtare të Virxhinias Perëndimore.
Të mërkurën pasdite, dy anëtarë të Gardës Kombëtare që po patrullonin pranë një stacioni metroje, jo larg Shtëpisë së Bardhë, u sulmuan me armë zjarri nga një shtetas afgan.
Trump konfirmoi se anëtari tjetër i Gardës, një 24 vjeçar, po lufton për jetën. Ndihmës-shefi i Policisë në Uashington, Jeffrey Carroll, tha se i vetmi i dyshuar për të shtënat u neutralizua nga anëtarë të tjerë të Gardës Kombëtare dhe pasi u arrestua, u dërgua në spital për trajtim mjekësor.
Eshtë fjala për një 29 vjeçar me shtetësi afgane, që jeton në shtetin e Uashingtonit. Raportohet se kishte udhëtuar për në kryeqytetin amerikan ku edhe kreu sulmin.
I dyshuari ka përdorur pistoletë dhe rrezikon 15 vjet burg për ngjarjen.
Ende nuk është i qartë motivi i sulmit. Presidenti amerikan, Donald Trump i ka cilësuar të shtënat me armë si “akt terrori”. Në kohën kur ndodhën, Trump nuk ishte në Shtëpinë e Bardhë, por në Florida. Personit përgjegjës iu referua si “kafshë që ta paguajë shtrejtë”.