Kancelari gjerman, Olaf Scholz sot zgjodhi të vizitojë Magdeburg-un, qytetin e Gjermanisë që mbrëmë u trondit nga një sulm me makinë në tregun e Krishtlindjeve, motivet e të cilit mbeten të paqarta pavarësisht arrestimit të autorit të dyshuar me origjinë saudite. Ka shumë pyetje:
Gjurmë islamike? Çrregullime psikologjike të psikiatrit 50-vjeçar i arrestuar në vendngjarje? Një tjetër motivim?
“Në fazën aktuale të hetimit, ende nuk është e mundur të kategorizohet ajo që ndodhi në tregun e Krishtlindjeve”, njoftoi policia.
Olaf Scholz shoqërohet nga ministri i Brendshëm, për t’u përpjekur për të mësuar më shumë dhe për të ofruar mbështetje për popullsinë vendase, të traumatizuar nga ky sulm që ndodhi në mes të fushatës elektorale.
Ajo që ndodhi prek shumë njerëz, na prek shumë edhe ne, u shpreh një 27-vjeçar nga Kameruni që jeton në qytetin gjerman.
Dje rreth orës 19:00, një makinë hyri papritur në korridoret e tregut lokal të Krishtlindjeve, duke marrë përpara të pranishmit, në 400 metra. Mes dy viktimave është një fëmijë. Mbi 60 vetë u plagosën, 15 në gjendje të rëndë.
Të gjithë ishin të shtrirë në tokë, fëmijë, burra, njerëz të lënduar me fraktura. E paimagjinueshme, tregoi një dëshmitar për kanalin televiziv “Welt TV”.
E tmerrshme, gjatë gjithë kësaj kohe ishte një trup i pajetë pranë meje… Bota është e sëmurë.
Sulmi ndodhi tetë vjet pas një akti të ngjashëm, të kryer në një treg Krishtlindjesh në Berlin, në kohën kur në mes të një fushate elektorale, Gjermania është në gatishmëri ndaj rrezikut të sulmeve.
Tetë vjet pas Berlinit
Për autoritetet, data nuk përbën rastësi dhe u zgjodh qëllimisht. Por, askush nuk nxori menjëherë përfundimin se ishte si në Berlin në vitin 2016, një sulm islamik. Profili i autorit të dyshuar, Taleb A, duket intrigues. Duke jetuar në Gjermani që nga viti 2006, si mjek që praktikonte profesionin në qytetin e Bernburgut, afër Magdeburgut dhe me status refugjati, ai nuk shquhej aspak për simpati ndaj lëvizjes xhihadiste.
Postimet e tij të shpeshta në rrjetet sociale japin portretin e një njeriu që ndihet i persekutuar, i shkëputur nga Islami dhe që denoncon rreziqet e një islamizimi të Gjermanisë. Madje, disa media i atribuojnë lidhje me të djathtën ekstreme gjermane. Në çdo rast, njihet në komunitetin e emigrantëve sauditë në Gjermani dhe ndihmonte azilkërkuesit, veçanërisht gratë.
Por, e djathta ekstreme gjermane e ka marrë këtë çështje në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare gjermane më 23 shkurt, ku çështja e emigracionit do të luajë rol të rëndësishëm.
Kur do të përfundojë kjo çmenduri?, pyeti në X bashkëpresidentja e AfD-së, Alice Weidel, partia e së cilës është e dyta në sondazhe, me pothuajse 20%.
Partia e vendos veten pas konservatorëve, që gjithashtu bëjnë thirrje për shtrëngim të masave në pritjen e refugjatëve.
Disa kryeqytete shprehën tronditjen e tyre, si Roma, Madridi dhe Uashingtoni, me Shtetet e Bashkuara që thanë se ishin të gatshme të “siguronin ndihmë”. Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kryeministri i tij i ri, François Bayrou shprehën “solidaritetin” e Francës. Arabia Saudite, vendi i origjinës së të dyshuarit, e dënoi sulmin dhe konfirmoi “refuzimin e dhunës”.